Lidhje

KFOR-i paralajmëron reagim ndaj dhunës


Forcat e NATO-s, paralajmëruan se nuk do të lejojnë dhunën siç ndodhi gjatë javës që lamë pas në një lagje veriore të Mitrovicës.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, paralajmëruan sot se do të reagojnë ndaj çdo forme të përdorimit të dhunës dhe armëve nga persona të paautorizuar.

Këto komente pasuan takimin e përfaqësuesve të KFOR-it me përfaqësuesit e serbëve lokalë në veriun e Mitrovicës, pas tensioneve të javës që lamë pas në një lagje veriore të këtij qyteti.

Në një komunikatë për media thuhet se gjatë takimit është nënvizuar “pakënaqësia e KFOR-it lidhur me zhvillimet në lagjen Kroi i Vitakut dhe se përfaqësuesit e komunitetit mbahen përgjegjës për tensionet e atjeshme”.

Në komunikatë thuhet se “KFOR-i u ka tërhequr vërejtjen përfaqësuesve të komunitetit që të përmbahen nga çdo akt i cili mund të interpretohet si ngritje e tensioneve” dhe se se të vetmet mekanizma të cilëve u lejohet të bartin armë në Kosovë janë: KFOR-i, EULEX-i, Policia e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Në rast se KFOR-i sheh ndokënd tjetër të armatosur apo duke e kërcënuar mjedisin e qetë dhe të sigurt në çfarëdo mënyre tjetër, KFOR-i është plotësisht i autorizuar të reagojë shpejt dhe në mënyrë të vendosur dhe të kujdeset që keqbërësit do të dënohen. Përfundimisht përfaqësuesit e komunitetit gjithashtu do të mbahen përgjegjës”, thuhet në komunikatën e forcave paqeruajtëse.

Tensionet ndër-etnike u përshkallëzuan gjatë javës së kaluar në lagjen “Kroi i Vitakut” ku grupe të ndryshme serbësh kundërshtuan rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptar të asaj lagjeje.

Tensionet që çuan në incidente të dhunshme, pasuan kundërshtimin e përfaqësuesve serb ndaj rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve, që ishin shkatërruar gjatë luftës në Kosovë.

Përfaqësuesit e serbëve në veriun e Mitrovicës kundërshtojnë rindërtimin e shtëpive ndërsa akuzojnë institucionet e Prishtinës se siç thuhet, po provojnë të ndryshojnë përbërjen etnike të popullsisë në zonë.
XS
SM
MD
LG