Lidhje

Protestat për Limajn anulojnë përurimin e autostradës


Vendi ku ishte planifikuar përurimi i autostradës Kosovë – Shqipëri, u përfshi nga protestues që kërkonin lirimin nga paraburgimi të deputetit Fatmir Limaj.

Protestat me kërkesat për lirimin e deputetit të Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, anuluan planet për përurimin e autostradës “Ibrahim Rugova” që lidhë Kosovën me Shqipërinë.

Të organizuar nga ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Brigadës 121 “Kumanova”, që komandohej gjatë luftës nga Fatmir Limaj, protestuesit bllokuan skenën e përgatitur për ceremoninë e përurimit. Më parullën “Nëse doni me festu Fatmir Limajn duhet me pru”, ata bënë që ceremonia të anulohet fare.

Përurimi i autostradës ishte planifikuar nga Qeveria e Kosovës si një prej ngjarjeve kryesore në kuadër të kremtimeve që po mbahen në Kosovë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Fatmir Limaj, i njohur gjatë luftës me nofkën “Çeliku”, ndodhet në paraburgim nën akuzat për krime lufte gjatë vitit 1999.

Vendimi për dërgimin e tij dhe tre ish bashkëluftëtarëve në paraburgim nxiti reagime të shumta në Kosovë. Kryeministri Hashim Thaçi, e cilësoi paraburgimin e zotit Limaj si një veprim të papranueshëm dhe fyerje për drejtësinë.

Ndërkaq, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, nëpërmjet një komunikate, thekson se e kupton ndjeshmërinë dhe emocionet, por kërkon që politikanët dhe institucionet politike, të shmangin komentet rreth çështjeve që kanë të bëjnë me drejtësinë.

Në muajin maj të këtij viti Fatmir Limaj dhe tre ish bashkëluftëtarë të tij qenë shpallur të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999. Por, javën e kaluar, Gjykata e lartë e Kosovës, vendosi kthimin e çështjes në rigjykim.

Kundër rigjykimit kanë reaguar edhe pjesëtarët e njësive të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjatë luftës ishin nën komandën e zotit Limaj duke bërë përgjegjës edhe kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e drejtësisë Hajredin Kuçi.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Javën e kaluar, EULEX-i bëri të ditur është ngritur aktakuzë kundër deputetit Fatmir Limaj dhe gjashtë të tjerëve, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion. Akuzat u ngritën më shumë se dy vjet pasi që EULEX-i bastisi Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit që drejtohej nga zoti Limaj.
XS
SM
MD
LG