Lidhje

Dhurata bamirësie në Nju Jork e Nju Xhërsi


Plaku i Vitit të ri ka ardhur herët në Nju Jork dhe Nju Xhërsi. Banorët e disa komuniteteve në këto shtete përfituan dje nga zemërgjerësia e një personi të veshur si Plaku i Vitit të Ri, i cili u ndau njerëzve kartmonedha nga 100 dollarë. Bamirësia ishte për viktimat e uraganit Sandy dhe personi, që thuhet se është një biznesmen i suksesshëm, nuk pranoi të xhirohej nga kamerat. Ai ka deklaruar se do të dhurojë për këtë sezon festash 100 mijë dollarë.

Dje Plaku i Vitit të Ri ishte në qytetin Elizabeth të Nju Xhërsit, duke shpërndarë kartmonedhat. Olivia Bazile, një banore e papunë e zonës, e cila ka një fëmijë katër vjeç, e përqafoi bamirësin e emocionuar. Ajo tha se paratë do ta ndihmojnë të blejë dhuratat për sezonin, që do të ishte e vështirë t’i blinte tani që është pa punë.

41-vjeçarja Janice Kennedy nga Staten Island i Nju Jorkut, mori katër kartëmonedha 100 dollarëshe. Ajo është pa punë dhe tani, së bashku me vajzën 2 vjeçare kanë mbetur pa shtëpi, pas uraganit Sandy. Paratë, tha ajo, do ta ndihmojnë të festojë ditëlindjen e vajzës dhe festat e fundvitit.

Personi e mori frymëzimin nga një bamirës tjetër i suksesshëm që në prag të Vitit të Ri dilte pranë dyqaneve me sende të përdorura dhe u dhuronte njerëzve para për festat.
XS
SM
MD
LG