Lidhje

Adriatik Llalla prokurori i ri i Përgjithshëm


Sot emërimi nga presidenti Nishani. Pritet votimi në parlament. Llalla drejton aktualisht Inspektoriatin e Lartë të deklarimit të pasurive, post në të cilin u zgjodh në 2008 me votat edhe të opozitës

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani dekretoi sot në postin e prokurorit të ri të përgjithshëm drejtuesin aktual të Inspektoriatit të Deklarimit të pasurive të zyrtarëve të lartë, Adriatik Llalla. Vendimi i tij erdhi pasi mandati i prokurores së përgjithshme Ina Rama u konsiderua i përfunduar në 22 nëntorin e kaluar.

Cështja e mandatit të zonjës Ina Rama shkaktoi debate të shumta lidhur me interpretimin ligjor. Sipas socialistëve në opozitë, mandati i saj 5 vjecar duhej të llogaritej nga momenti i hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të majit 2008 të cilat përcaktuan dhe afatin kohor të qëndrimit në detyrë të prokurorit të Përgjithshëm, që deri atëherë ishte i papërcaktuar. Presidenti Nishani nga ana e tij vlerësoi se mandati 5 vjecar llogaritej nga marrja e detyrës në nëntorin e vitit 2007.



Hipoteza të shumta qarkulluan këto ditë mbi zgjedhjen e prokurorit të ri, të shoqëruara me dyshimet për rrezikun e emërimit të një figure të kontrolluar politikisht nga e djathta në pushtet. Emërimi i zotit Llalla duket se ka patur parasysh heqjen e dyshimeve të tilla. Ai u zgjodh në krye të Inspektoriatit të Deklarimit të pasurive në tetor të vitit 2008, pasi mori në parlament edhe votat e socialistëve. Sipas presidentit Nishani kjo ishte dhe një nga arsyet përse ai përzgjodhi kandidaturën e zotit Llalla, përpos eksperiencës së tij edhe si prokuror me një karrierë 10 vjecare ku mes të tjerash ka qenë edhe zëvendës prokuror i Tiranës si dhe kryetar i Këshillit të Prokurorisë.
XS
SM
MD
LG