Lidhje

Haradinaj: Jam i gatshëm të bëhem kryeministër


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i tha Zërit të Amerikës se oferta e tij për bashkëqeverisje me PDK-në, është që ai të ketë postin e kryeministrit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se oferta e tij për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës, është që ai të ketë postin e kryeministrit. Pak ditë pas kthimit nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte e cila e shpalli atë të pafajshëm, zoti Hardinaj në intervistën me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, flet për zhvillimet në Kosovë përfshirë edhe mbështetjen e tij për procesin e bisedimeve me Serbinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, mbrëmë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë arritën marrëveshje për menaxhimin e përbashkët të kufirit dhe këmbimin e zyrtareve të ndërlidhjes. Si i shihni ju këto marrëveshje dhe përgjithësisht procesin e bisedimeve?



Ramush Haradinaj: Mendoj se, meqë kemi shumë punë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, atëherë çdo e arritur është pjesë e këtij normalizimi. I vlerësojmë edhe këto dy marrëveshje si avancim në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve dhe kuptohet se është ndihmesë në përgjithësi për zhvillimet bilaterale Kosovë- Serbi por edhe për regjionin.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh edhe përbërjen aktuale të pushtetit në Serbi, a keni besim se këto do të funksionojnë?

Ramush Haradinaj: Po, nuk mund të ndalemi në punë. Me rëndësi është se disa rezultate edhe shihen dhe japin optimizëm edhe për rezultatet të mëtejme. Pra, pa paragjykue epilogun këtyre bisedimeve, mendoj se është mirë të materializohen të arriturat e deritashme, marrëveshjet që janë realizua dhe njëkohësisht të punohet edhe për tema të tjera që kanë mbetur të hapura.

Zëri i Amerikës: Ndonëse thatë se nuk doni të paragjykoni, megjithatë, cili mund të jetë përfundimi i këtij procesi të ri bisedimesh me Serbinë?

Ramush Haradinaj: Unë mendoj se do të ndodhë ajo që pritet besoj nga shumica e qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi, një normalizim i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe njëkohësisht do të ndodhë një avancim në funksionalizimin e brendshëm të Kosovës, ku Kosova do të mund të bëjë më shumë për qytetarët e vet në veri. Pra, edhe një mundësi e qasjes më të afërt për qytetarët ne veri.

Zëri i Amerikës: Si mendoni se do të përfundojë çështja e veriut?

Ramush Haradinaj: Po është një fat i madh që është menduar për këtë temë edhe para pavarësisë së Kosovës, ashtu si është menduar për serbët edhe në pjesët tjera të vendit. Kuptohet se në etapën e parë, mundësitë dhe të gjitha ato hapësira që janë dhënë për qeverisje për qytetarët serbë, janë shfrytëzuar nga pjesa qendrore e si themi ne, qytetarëve serb të Kosovës. Tani ka ardhë koha beso që edhe qytetarët e veriut t’i shfrytëzojnë këto mundësi, të cilat do të ndihmojnë jetën e tyre dhe do të bëjnë një jetë më të mirë sesa është sot. Pra do të ndodhë një zbatim i përgjegjësive, ose i mundësive i privilegjeve që janë paraparë për serbët çdo kund në Kosovë edhe në veri.

Zëri i Amerikës: Ju e keni mbështetur procesin e bisedimeve, madje nënkryetari juaj është bashkërendues tashmë i bisedimeve? Si e shpjegoni këtë afri a është kjo në fakt edhe njëfarë paralajmërimi i afrimit tuaj më të madhe me kryeministrin e vendit Hashim Thaçi?

Ramush Haradinaj: Në fakt ne jemi afruar me temën në radhë të parë, kjo ka qenë qëllimi ynë. Nuk kemi dashur në një temë të tillë të qëndrojmë larg, për shkak të peshës së saj, për shkak të efekteve që ka në jetën tonë dhe për shkak të rëndësisë. Ky është një qëndrim parimor i yni dhe do të vazhdojë. Ne vazhdojmë me dhanë përkrahje dhe ekspertizën që kemi për bisedat me Serbinë. Jemi të kënaqur që zoti (Blerim) Shala, i ka pranuar përgjegjësitë dhe na ka ardhur mirë për nominimin e tij nga presidentja e vendit dhe vazhdojmë në këtë proces. Po ashtu, ne preokupohemi edhe për zhvillimet e përditshme të jetës sonë në vend, kualitetin e qeverisjes, kualitetin e demokracisë sonë, të sektorëve veç e veç, të rendit e ligjit e shumë temave të tjera në vend, për standardin ekonomik. Andaj ne kemi edhe, si me thanë, opsion, ose zgjidhje edhe për përmirësimin e gjendjes në punët e shtëpisë. Kjo është një temë më vete në të cilën po ashtu i jemi ofruar për bashkëpunim Partisë Demokratike të Kosovës dhe zotit Thaçi. Në këtë ofrim që është ndaras nga ofrimi për temën e veçantë, ne ofrojmë me marrë përgjegjësitë për të qeverisë me vendin, përfshirë edhe vetveten për përgjegjësinë e parë në qeverisje. Është një projekt ideor. Ende nuk ka ndodhë konkretizim apo ulje për ta shqyrtuar këtë projekt, por do të ndihmojmë që të ndodhe dhe shpresojmë që të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Domethënë ju do donit të merrnit përgjegjësitë duke qenë kryeministër i vendit? Tani apo pas zgjedhjeve?

Ramush Haradinaj: Synojmë tash. Arsyeja është se deri në zgjedhje do të mund të bëhej shumë punë, me ndihmue që trendët prej tash deri në zgjedhje të jenë të mira. Me e përmirësue kualitetin e qeverisjes në përgjithësi por edhe për të ndihmuar për një proces zgjedhor më kualitativ kur ndodhë, meqë kemi pasur defekte në procesin e shkuar zgjedhor. Pra është një investim që bëhet tash që do të pasojë me zgjedhje dhe pas zgjedhjeve.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, nëse mund të jeni më konkret. A mendoni se zoti Thaçi do të ishte i gatshëm t’ju linte postin e kryeministrit?

Ramush Haradinaj: Nuk mund ta konfirmoj meqenëse nuk e kemi diskutuar dhe shtjelluar deri në fund. I mbetet të ardhmes me u pa. Por, ne rast se do të ndodhte, atëherë ajo që është me rëndësi, do të krijohej një situatë e re dhe një nisje e re edhe për Kosovën besoj e mirë.

Zëri i Amerikës: Nuk e keni diskutuar akoma, nuk jeni ulur ende për ta diskutuar...?

Ramush Haradinaj: Jo, jo ende nuk kemi pasur mundësinë me u ulë konkretisht për temën. D.m.th. është një projekt ideor dhe edhe PDK-ja edhe zoti Thaçi janë të njohur me këtë projekt tonin ideor, por nuk ka konkretizim të tij ende. Mund të ndodhë në ditët që vijnë dhe në javët që vijnë do të trajtohet.

Zëri i Amerikës: A e kushtëzoni me këtë bashkëpunimin zoti Haradinaj? Nëse nuk ka gatishmëri, si do veproni?

Ramush Haradinaj: Ndoshta përgjigja më e kujdesshme është, ne kemi këtë ofertë, nuk kemi ofertë tjetër. Kjo është oferta që ofrojmë. Dhe kushti i vetëm është me na u kriju hapësira me punue. E kam përsëritur se në një gjendje çfarë jemi, që është e vështirë dhe e ndjeshme, unë po ofroj zgjidhjen më të kujdesshme dhe të saktë për të ndihmuar vendin nga dita e parë e mundësisë më fillue me punue dhe kuptohet me vazhdue një trend pozitiv për vendin.

Zëri i Amerikës: Në të kundërtën nuk do të bëheshit pjesë e bashkëqeverisjes....?

Ramush Haradinaj: Paj vetëm këtë variantë e kemi ofruar, vetëm këtë ofertë, për shkak se, e thashë edhe njëherë, është koha e shkurtër deri në zgjedhje. Në variantet tjera, në nuk do të mund të ndryshonim gjendjen aktuale ose, me krijue atë “momentumin” ose ditën “D”, ditën e nisjes për një kualitet tjetër. Atëherë do të prisnim zgjedhjet si një parti politike opozitare, do të ushtronim funksionet tona me kujdes, me përgjegjësi për vendin deri në zgjedhje. Dhe në zgjedhje do të vlerësonim rrugën tonë më tej dje mënyrën se si me qeverisë me vendin.

Zëri i Amerikës: Është parë një shkallë e afrimit mes jush dhe kryeministrit Thaçi. Ai ju priti juve me ceremoni të posaçme pas kthimit nga Haga. A ishte ky një veprim shtetëror apo demonstrim i afrimit ndërmjet jush?

Ramush Haradinaj: Tani, për çdo veprim ka më shumë motive, më shume se një. Unë e kam pranuar si një motiv të mirë të institucioneve të vendit, të kryeministrit të vendit, të qeverisë dhe jam ndjerë i nderuar me pritjen që më është bërë në aeroport. E kam falënderuar kryeministrin personalisht për këtë pritje ashtu si edhe qytetarët edhe të gjithë spektrin politik realisht, që më bëri nderim të jashtëzakonshëm, pa marrë parasysh edhe partitë politike edhe pakicat që më kanë uruar mirëseardhjen në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politik. Por, kuptohet, çdo zhvillim i mire krijon ambient për zhvillime të tjera të mira. Mund të jetë edhe kjo në vazhdën e një ambienti më të mirë në vend.

Zëri i Amerikës: Kryeministri Thaçi sikurse edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, para qeveritë e të dyja vendeve kërkuan hetimin e ish kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte pos tjerash edhe për qasjen e saj në procesin ndaj jush. A do të jeni edhe ju pjesë e kërkesës për përgjegjësi nga ajo?

Ramush Haradinaj: Unë nuk e kam iniciuar një proces të tillë. Por, më vjen mirë në rast se do të ndodhte, për shkak se kemi të bëjmë me parimet e ligjit ndërkombëtarë, i cili ka peshë të madhe për të them ashtu, zhvillimet në raport me ligjin nacional e ndërkombëtar. Dhe korrigjimi i defekteve ta zëmë në ligj, është një zhvillim pozitiv për njerëzimin në përgjithësi, për gjithë popujt, për të gjitha vendet, për gjithë qeveritë e vendeve. Pra, bazuar në principet e ligjit ndërkombëtarë dhe avancimin e ligjit ndërkombëtarë, e mbështes.
XS
SM
MD
LG