Lidhje

SHBA: Korrupsioni në Uashington


Për përkrahësit e qeverisjes së mirë është e turpshme që skandalet ndodhin shumë pranë Shtëpisë së Bardhë

Një numër hetimesh të kohëve të fundit lidhur me akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve lokalë në Uashington mund të bëhen shkak për publicitet sepse ato po ndodhin në kryeqytetin e një prej demokracive më të mëdha të botës. Por ligjvënësit lokalë dhe përkrahësit e qeverisjes së mirë thonë se Uashingtoni, megjithëse nuk është i përsosur, as nuk është i zhytur në rryshfete dhe manipulime.

Vitin e kaluar, Kryetari i Bashkisë së Uashingtonit, Vincent Gray bëri bujë kur u arrestua sepse protestoi kundër statusit të distriktit federal të qytetit, i cili u mohon banorëve përfaqësim në Kongres. Por kur 3 prej këshilltarëve të tij të lartë pranuan fajësinë për shkelje financiare, kjo bëri edhe më shumë bujë.

Për përkrahësit e qeverisjes së mirë është e turpshme që skandalet ndodhin vetëm 3 blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, por kjo tregon gjithashtu se as edhe demokracitë më të përparuara nuk janë të përsosura.

Bill Buzenberg me Qendrën për Integritetin Publik trajnon gazetarët nga e gjithë bota që të mbajnë përgjegjës zyrtarët publikë.

“Skandale të tilla ndodhin këtu, ndodhin në vende të tjera të botës. Në një farë mënyre gazetarët me të cilët unë flas habiten nga kjo gjendje. Korrupsioni është problem kudo, transparenca është problem kudo dhe vënia para përgjegjësisë e politikanëve është e rëndësishme për qytetarët kudo në botë".

Arrestimi i bujshëm i kryebashkiakut të Uashingtonit, Marion Barry në vitin 1990 për blerje dhe konsumim drogash u bë për shumë njerëz simbol i korrupsionit në qeverinë e Uashingtonit.

Por anëtari i Këshillit të Qytetit, David Catania thotë se ka pasur relativisht pak raste korrupsioni gjatë dekadës së fundit dhe ndjekja e tyre penale tregon se sundimi i ligjit po funksionon.

“Gjatë vitit të fundit vetëm një anëtar i Këshillit është burgosur, një tjetër është mbajtur në arrest shtëpiak dhe hetimet vazhdojnë rreth kryebashkiakut të qytetit. Prandaj unë mendoj se ky do të jetë një mësim i mirë për brezin e ardhshëm të politikanëve”.

Zoti Catania thotë se Uashingtoni mund të jetë i pambrojtur nga korrupsioni sepse Partia Demokrate mbizotëron politikat lokale.

“Kur kemi një sistem me një parti, pavarësisht nëse janë demokratët apo republikanët, nuk ekziston sistemi i kontrolleve dhe balancës, që ekziston gjithnjë në një sistem rigoroz me dy parti. Mendoj se sistemi ekzistues me siguri që nuk ndihmon”.

Anëtari i Këshillit të Qytetit të Uashingtoni thotë se, ndërsa mbikqyrja e pavarur dhe transparenca janë të nevojshme, Uashingtoni nuk është as më mirë e as më keq se sa qytetet e tjera të mëdha në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG