Lidhje

SHBA: Ekonomistët mbi marrëveshjen për borxhin


Dy economistë të njohur amerikanë thonë se një marrëveshje për uljen e borxhit publik për të shmangur katastrofën fiskale do t’i jepte shtytje pozitive ekonomisë së vendit, por vetëm nëse zgjidh shqetësimet e mëdha fiskale të vendit. Korrespondenti Michael Bowman njofton se analistët dëshmuan para Komisionit të Përbashkët Ekonomik, të përbërë nga deputetë të të dyja Dhomave të Kongresit:

Ekonomisti i firmës Moody’s Analytics Mark Zandi thotë se toni dramatik dhe pasiguria që po shoqëron negociatat për borxhin, po e dëmton rimëkëmbjen e brishtë ekonomike. Ai ka një mesazh të thjeshtë për ligjvënësit:

“Duhet ta zgjidhni këtë problem. Pasiguria është vrasëse”.

Zoti Zandi thotë se arritja e një marrëveshjeje do t’i jepte fuqi lokomotivës ekonomike.

“Nëse e zgjidhim këtë problem, do të përfitojmë shumë energji të momentit. Do të krijohen vende të reja pune dhe ritmet e rritjes do të jenë shumë të qëndrueshme”.

Të njëjtin mendim ka ekonomisti Kevin Hassett, i cili punonte si këshilltar i ish-kandidatit presidencial Mitt Romney:

“Akti më pozitiv që mund të ndërmarrim tani për amerikanët e papunë është të ndreqim problemet madhore”.

Presidenti Barack Obama dhe republikanët në Kongres nuk kanë arritur t’i kapërcejnë mospajtimet partiake për politikat fiskale dhe shkurtimet buxhetore që parashikon paketa për reduktimin e borxhit. Mark Zandi thotë se nëse duhet të zgjedhim mes dy opsioneve – nga njëra anë një paketë të dobët që nuk zgjidh problemet madhore, dhe nga ana tjetër të lejohet që vendit të përfshihet nga katastrofa fiskale, ai preferon katastrofën fiskale:

“Nuk do të dilja me një zgjidhje çfarëdo, pa gjetur një zgjidhje shumë të mirë brenda këtij viti. Do të lejoja skadimin e afatit të fund-vitit, nëse kjo do të mundësonte gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë”.

Skadimi i afatit nënkupton aktivizimin automatik të shkurtimeve buxhetore dhe rritje taksash, deri në momentin kur të gjendet një zgjidhje më e mirë. Masa të tilla do të ishin një goditje për ekonominë amerikane, por zoti Zandi thotë se një masë e tillë do të ishte me vlerë nëse sjell vullnetin e nevojshëm politik në Uashington për të ndrequr problemet fiskale që rëndojnë mbi Amerikën prej kohësh. Kevin Hassett argumenton në linja të ngjashme për zgjidhjen e problemit të nivelit tavan të borxhit, që duhet rritur brenda pak javësh.

“Sa herë që përballemi me këtë problem, ballafaqohemi me një kosto afat-shkurtër. Por dua të shtoj se nuk duhet të harrojmë përfitimet afat-gjata, në këtë rast elimimin e këtij borxhi masiv që rëndon mbi ekonominë amerikane”.

Presidenti Obama është shprehur se nuk dëshiron që Amerika të përfshihet nga katastrofa fiskale. Por Shtëpia e Bardhë thotë se katastrofa fiskale mbetet një skenar i mundshëm, nëse dështojnë negociatat për borxhin. Deficiti vjetor federal është mbi 1 triolion dollar dhe borxhi publik i Shteteve të Bashkuara është mbi 16 trilionë dollarë.
XS
SM
MD
LG