Lidhje

Te drejtat e njeriut në Kosovë, ende në gjendje të rëndë


Veprimtarët humanitarë në Kosovë shprehen të pakënaqur me gjendjen e të drejtave të njeriut, ndërsa bëjnë thirrje për më shumë punë të institucioneve për përmirësmin e situatës në vend. Këto komente u bënë me rastin e ditës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e cila e gjen Kosovën me infrastrukturë të bollshme ligjore, por me mangësi në zbatimin e tyre.



Në një bisedë për Zërin e Amerikës, Avokati i Popullit Sami Kurteshi tha se angazhimi institucional dhe ai shoqëror nuk është i mjaftueshëm dhe se në këtë aspekt mungon edhe debati I hapur për problemet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut…

Mendoj se një punë tjetër është se nganjëherë nuk duam t’I identifikojmë mangësitë tona, problemet tona dhe nëse I identifikojmë nuk duam që të diskutojmë për ato hapur”, tha ai.

Zoti Kurteshi thotë kur bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave, ato ndodhin në të gjitha kategoritë e shoqërisë…

Kategoritë më të cenuara natyrisht janë njerëzit, individët si të tillë por edhe individët që përbëjnë grupet e që janë më të dobët në shoqëri, sic janë personat me aftësi të kufizuara, personat e grupeve minoritare qofshin ato kulturore, gjuhësore apo etnike, pastaj fëmijët, gratë, qasja jonë, qasja institucionale ndaj tyre, mendoj se kemi edhe individë dhe grupe të shumta që janë të cenuara”, tha zoti Kurteshi.

Gjendjen e përshkruan të vështirë edhe Afrim Maliqi, drejtor i Organizatës joqeveritare “Handikos”, i cili thotë se personat me nevoja të veçanta në Kosovë, përballen me shume probleme në jetën e tyre...

Është krijuar përshtypja se personi me aftësi të kufizuara që është në karrocë është problem vetëm karroca dhe qasja, jo. Personi me aftësi të kufizuara përballet së pari me kujdesin shëndetësor I cili mungon, kujdesi rehabilitues gjithashtu nevoja për dhënien apo mbulimin e pajisjeve ndihmëse që duhet t’i ketë personi me aftësi të kufizuara. Kjo po çon që personat me aftësi të kufizuara në veçanti personat me lëndime të boshtit kurrizor të vdesin për shkak të pasojave dhe mos ofrimit të këtyre shërbimeve”, tha zoti Maliqi.

Gjendja aktuale e të drejtave të njeriut sipas veprimtarëve humanitarë pasqyron situatën politike dhe ekonomike të Kosovës ku asnjë kategori e popullsisë nuk është e kursyer nga shkeljet e këtyre të drejtave.

Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, Komisioni i Kosovës për Persona të Zhdukur tërhoqi vëmendjen në faktin se “mijëra familje vazhdojnë të mbeten në ankth, duke mos ditur për fatin e më të dashurve të tyre, të zhdukur pikërisht si pasojë e shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut”. Kosova edhe më tej nuk di për fatin e mbi 1 mijë e 700 personave të zhdukur gjatë luftës.
XS
SM
MD
LG