Lidhje

BE, Shqipëria humbet përsëri shansin për kandidat


fyle
fyle

Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle: “Do të raportojmë mbi përparimet e bëra sapo politikanët shqiptarët të na e bëjnë të mundur. Të mos lejojnë që axhenda europian të mbetet peng i interesave të tyre të vecanta politike”

Në Bruksel komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle deklaroi mbrëmë se “Shqipëria duhet të vazhdojë të mbajë ritmin e reformave duke cuar drejt përmbylljes masat e kërkuara në mënyrë që Këshilli të marrë në konsideratë dhënien e statusit të vendit kandidat”. Komentet e tij zoti Fyle i bëri në mbyllje të diskutimeve të Këshillit për Cështjet e Brendshme të Bashkimit europian mbi politikat e zgjerimit. Për herë të tretë Shqipërisë iu refuzua dhënia e statusit. Zoti Fyle tha se Komisioni do të raportojë pranë Këshillit mbi përparimet e bëra sapo politikanët shqiptarët t’ja bëjnë të mundur këtë Komisionit. Ai i bëri thirrje të gjithë politikanëve shqiptarë që të forcojnë dialogun, dhe të mos lejojnë që axhenda europian të mbetet peng i interesave të tyre të vecanta politike

Ndërsa u përfshi ne debate të gjata lidhur me perspektivën europiane të vendeve të tjera të Ballkanit, Këshilli për Cështjet e Brendshme të BE i përbërë nga ministrat e jashtëm dhe ata të Cështjeve europiane të vendeve anëtare, nuk shpenzoi kohë për Shqipërinë. Ajo e kishte përcaktuar vetë që më parë fatin e saj, ndërsa mosmarrëveshjet politike e kishin bërë të pamundur plotësimin e kushteve që Komisioni europian kishte vendosur në tetor në mënyrë që të mund të rekomandonte dhënien e Statusit kandidat.

"Këshilli vëren rekomandimin e Komisionit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, nëse përmbushen masat kyçe” deklaroi Erato KOZAKOU-MARKOULLIS, ministrja e jashtme e Qipros, vend i cili mban presidencën e radhës së Bashkimit europian.

Në përfundimet e miratuara mbrëmë nga Këshillit njihet përparimi i bërë nga Shqipëria falë përmirësimit të dialogut mes qeverisë dhe opozitës pas marrëveshjes së nëntorit të kaluar. “Këshilli vëren vlerësimin e Komisionit se Shqipëria ka përmbushur katër nga prioritetet kyçe dhe se është në rrugën e përmbushjes së dy prioriteteve të tjera", thuhet në përfundimet e Brukselit ndërsa “nënvizohet nevoja për të intensifikuar më tej përpjekjet, e identifikuara nga raporti i Komisionit, veçanërisht në fushën e reformave të gjyqësorit për të forcuar pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e tij, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mbrojtjen e të gjitha minoriteteve, si dhe në zbatimin e reformave”.

“Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin pa probleme të institucioneve demokratike të vendit", tha më tej ministrja qipriote duke iu referuar përfundimeve të Këshillit.

Ndërkaq Brukseli duket i shqetësuar edhe për deklaratat e ditëve të fundit në Tiranë, ku vecanërisht gjatë festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë kryeministri përmendi disa herë bashkimin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Për herë të parë Shqipërisë i tërhiqet vëmendja që të jetë e kujdesshme kur thuhet se "Këshilli mirëpret rolin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe i bën thirrje Shqipërisë të shmangë deklarata që shkojnë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”.

Për Komisionerin e Zgjerimit Stefan Fyle “Përfundimet e Këshillit i dërgojnë mesazhet e duhura Shqipërisë, si në njohjen e punës së madhe të bërë deri tani, ashtu dhe në inkurajimin e fortë ndaj të gjitha forcave politike dhe aktorëve që të mbeten të përqëndruar te integrimi europian dhe procesi i reformave. Dyert e BE mbeten të hapura dhe përfundimet tregojnë rrugën se si Shqipëria të vazhdojë të bëjë përpara drejt objektivit të saj të integrimit europian”.

Dhe në mënyrë të përmbledhur komisioneri Fyle e përkufizon kështu rrugën e afërt që vendi duhet të ndjekë “Shqipëria duhet të vazhdojë të mbajë ritmin e reformave duke cuar drejt përmbylljes masat e kërkuara në mënyrë që Këshilli të marrë në konsideratë dhënien e statusit të vendit kandidat
Komisioni do të raportojë pranë Këshillit mbi përparimet e bëra sapo politikanët shqiptarët të na e bvëjnë të mundur dhe unë i bëj thirrje të gjithë politikanëev shqiptarë që të përforcojnë dialogun, dhe të mos lejojnë që axhenda europian të mbetet peng i interesave të tyre të vecanta politike”.

Por në Tiranë, më shumë se sa të mendohet për të përmbushur axhendën europian, palët duket se harxhojnë më shumë kohë duke fajësuar njëra tjetrën për dështimin e radhës. Për ministren e integrimit Majlinda Bregu faji qëndron te politikat bllokuese të opozitës: "Të ftojmë e të riftojmë opozitën dhe liderin e saj, që të mos vazhdojë më tej bllokimin e procesit të integrimit dhe që sigurisht të votojë, siç kanë votuar gjatë këtij viti në parlament 22 ligje me 3/5-at, e të mos i rikthehen qasjes se idesë, se bllokimi është fitore. Sfida e tjetër është të vazhdojmë të ftojmë e të riftojmë sigurisht të gjithë ata që janë të përgjegjshëm në politikën shqiptarë që të kuptojnë se ky është procesi nga i cili duhet të fitojnë të gjithë shqiptarët dhe s’ mund të fitojë vetëm axhenda e ngushtë partiake”.

Ndërsa për opozitën, përgjegjëse mbetet qeveria e cila nuk ka përmbushur objektivat që lidheshin direkt me veprimtarinë e saj:“Të vetmet prioritete që konsiderohen të përmbushura janë ato prioritete ku kontributi i opozitës ka qenë vendimtar. Prioritetet të cilat kanë të bëjnë kryesisht, apo ekskluzivisht, me qeverisjen konsiderohen të papërmbushura. Pra, ato që kanë të bëjnë me reformën për garantimin e të drejtave të pronësisë, antikorrupsionin, krimin e organizuar, çështjet që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve, çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve në fushën e administratës publike, çështjet që kanë të bëjnë me antidiskriminimin, çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike”, deklaroi kryetari socialist i komisionit te integrimit Ditmir Bushati.

Atmosfera elektorale e garës së qershorit të ardhshëm vështirë se mund të ctensionojë situatën, ndërsa vetë zgjedhjet do të përbëjnë një tjetër moment kyc në rrugën e vështirë të Shqipërisë drejt Brukselit.
XS
SM
MD
LG