Lidhje

BE-ja me kuadër kohor për MSA-në me Kosovën


Ministrat e Jashtëm të BE-së do të shqyrtojnë në pranverë nëse Kosova ka përmbushur kriteret për marrëveshjen e stabilizim asociimit.

Bashkimi Evropian nuk ka një datë për fillimin e negociatave për përfshirjen e Kosovës në marrëveshjen e stabilizim asocimit, por ka caktuar një kuadër kohor që lë mundësinë e një vendimi për këtë çështje në pjesën e parë të vitit 2013.

Kosova ishte pjesë e përfundimeve të këshillit të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke ripërsëritur qëndrimin se BE-ja është e përkushtuar të vazhdojë procesin e zgjerimit, ministrat evropian theksuan se ritmi i afrimit të vendeve të Ballkanit perëndimorë më Bashkimin Evropian varet nga përmbushja e kritereve të përcaktuara.

Në përfundimet e tyre thuhet se “Këshilli merr në dijeni studimin e fizibilitetit për marrëveshjen Stabilizim Asociimi ndërmjet BE-së dhe Kosovës, pa paragjykuar qëndrimin e shteteve anëtare për statusin e saj. Këshilli merr në dijeni se Komisioni Evropian do të propozojë negociatat për këtë marrëveshje kur Kosova të ketë përmbushur përparësitë afatshkurta lidhur me sundimin e ligjit, administratën publike, mbrojtjen e pakicave dhe tregtinë, kritere të përfshira në Studimin e Fizibilitetit”.

Në dokument thuhet se "Këshilli, i bënë thirrje Kosovës që të shtojë ritmin e reformave. Angazhime të mëdha duhen posaçërisht për forcimin e reformës së administratës publike dhe forcimin e sundimit të ligjit, në veçanti duke dhënë dëshmi për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën e gjyqësorit dhe lirinë e shprehjes“.

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Kosovës që të vazhdojë angazhimin konstruktiv në bisedimet me Serbinë dhe të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash. Një vëmendje e posaçme i është kushtuar bashkëpunimit të saj me misionin e Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë.

"Këshilli i bën thirrje Kosovës të bëjë përparime të mëtejme në fushat kryesore, përfshirë edhe bashkëpunimin me EULEX-in dhe punën e ekipit të posaçëm hetues të EULEX-it, të kryejë obligimet e saj. Këshilli nënvizon rëndësinë që Kosova të ruajë bashkëpunimin e saj të ngushtë me EULEX-in duke respektuar mandatin e rivendosur të këtij misioni”, thuhet mes tjerash në përfundimet e Këshillit të BE-së.

"Me qëllim të marrjes së mundshme të vendimit për hapjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asociimit me Kosovën, Këshilli do të shqyrtojë në bazë të raportit që do të paraqitet nga KE në pranverë të vitit 2013, përparimin e arritur në të gjitha çështjet e lartpërmendura. Këshilli do ta vlerësojë këtë raport gjatë presidencës së ardhshme. Në rast se vlerësimi është pozitiv, Këshilli do të miratojë hapjen e negociatave”, përfunduan ministrat e BE-së.

Në fund të marsit të këtij viti komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fule, u dorëzoi autoriteteve të Prishtinës, dokumentin për fillimin e studimit të fizibilitetit për përfshirjen në marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Fillimi i studimit të fizibilitetit u bë i mundur pas marrëveshjes së arritur në fillim të atij muaji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës, marrëveshje që i mundësoi Serbisë ndërkaq të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Të dyja palët u përfshinë në një proces të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në përpjekje për të përshpejtuar procesin e afrimit me Bashkimin Evropian që është edhe ndërmjetësues i këtyre bisedimeve.
XS
SM
MD
LG