Lidhje

Marrëveshje për mbikëqyrjen e bankave të eurozonës


Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për krijimin e një organi të përbashkët mbikëqyrës për bankat e eurozonës, një përpjekje kjo për të zgjidhur një nga përbërësit kyç të vështirësive financiare të kontinentit. Marrëveshja i jep Bankës Qendrore Evropiane kompetenca të gjera për mbikqyrjen e bankave në 17 vendet që përdorin monedhën euro, si dhe të institucioneve në vendet e tjera të BE-së që zgjedhin të bëhen pjesë e sistemit.

Bashkimi Evropian hodhi sot një hap të madh drejt realizimit të një prej transferimeve më të rëndësishme të autoritetit financiar që i hiqet kryeqyteteve kombëtare, kur vendet anëtare ranë dakord për të krijuar një organ të përbashkët mbikëqyrës për bankat e tyre.

Marrëveshja politike u arrit nga ministrat e financave të shteteve anëtare të BE-së në orët e para të ditës së sotme. Komisioneri Evropian Michel Barnier:

"Pak nga pak, bashkimi bankar do të ndërtohet mbi këtë hap të parë themelor të hedhur sot. [...] Stabiliteti i eurozonës është i rëndësishëm për përparimin dhe stabilitetin e tregut të përbashkët si dhe të BE-së në përgjithësi."

Marrëveshja politike – e cila ende duhet të miratohet nga parlamenti – bën që Banka Qendrore Evropiane të jetë i vetmi organ mbikëqyrës i bankave të 17 vendeve të eurozonës si dhe të çdo vendi tjetër në Bashkimin Evropian që zgjedh të jetë pjesë e sistemit.

Ajo i jep Bankës Qendrore fuqi gjithpërfshirëse dhe hap rrugën për fondin evropian të shpëtimit, i cili do të ndihmonte drejtpërdrejt bankat me probleme – një masë që konsiderohet jetike për nxjerrjen e Evropës nga kriza tre-vjeçare e borxhit.

BE-ja i kishte premtuar tregjeve se do të arrihej një marrëveshje e përgjithshme para Vitit të Ri dhe ministrat e financave e arritën këtë gjatë një tjetër takimi emergjent të zhvilluar gjatë natës.

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble tha se Banka Qendrore Evropiane ka kërkuar një vit kohë për të implementuar kuadrin ligjor, pasi ai të miratohej.

"Mendoj se tani kemi arritur pikat kyçe për të krijuar mbikëqyrësin e bankave evropiane i cili do të fillojë punë në vitin 2014. [...] Të gjithë synojmë dhe besojmë që ky është një plan që ne mund ta realizojmë deri në fund të muajit shkurt. Ne parashikojmë të kemi rregullat ligjore gati brenda datës 1 Mars 2013, dhe mbikëqyrësin bankar evropian në funksion prej datës 1 mars 2014."

Sipas marrëveshjes, bankat me asete me vlerë më të lartë se 30 miliardë euro ose ato që përfaqësojnë 20 për qind të prodhimit të brendshëm të përgjithshëm në ekonomitë e tyre kombëtare do të vendosen nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Qendrore Evropiane.

Banka Qendrore mund të vendosë gjithashtu të mbikqyrë çdo bankë tjetër të vendeve të eurozonës apo të vendeve të tjera të BE-së që zgjedhin të bëhen pjesë e këtij sistemi.
XS
SM
MD
LG