Lidhje

Kosova ngushëllon Shtetet e Bashkuara


Udhëheqësit e Kosovës solidarizohen me udhëheqësit dhe popullin amerikan pas ngjarjes në Connecticut.


Udhëheqësit e Kosovës ngushëlluan presidentin e Shteteve të Bashkuara Barack Obama, sekretaren e shtetit Hillary Clinton dhe popullin amerikan për ngjarjen e djeshme në Connecticut.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në një telegram drejtuar presidentit Obama shpreh “ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të qytetarëve tuaj dhe për dhimbjen shkaktuar familjeve dhe popullit amerikan nga kjo ngjarje e rëndë. Në këtë kohë zie dhe pikëllimi për vendin tuaj, mendimet dhe lutjet tona janë me popullin amerikan në këtë kohë të vështirë”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi thekson ndërkaq se për të gjithë qytetarët e Kosovës ishte tronditës lajmi për vrasjen e nxënësve të shkollës fillore në Connecticut.

"Ky krim ka tronditur zemrat e prindërve, pedagogëve jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikë, por kudo në botë. Qytetarët e Kosovës bashkohen me ju për ta ndarë dhe lehtësuar dhembjen”, thuhet në telegramin e kryeministrit Thaçi.

Ndërsa, kryetari i Parlamenit Jakup Krasniqi, duke shprehur dhembjen i siguron zyrtarët amerikan se “institucionet dhe populli i Kosovës e kanë përjetuar rëndë këtë ngjarje tragjike dhe e dënojnë fuqishëm, si akt të shëmtuar dhe kriminal”.

Ministri i Punëve të Jashtme Kosovës, Enver Hoxhaj, në telegram ka shprehur solidaritetin e qytetarëve të Kosovës me familjarët e viktimave, me autoritetet amerikane dhe me mbarë kombin amerikan në këto momente të vështira.

Populli dhe Qeveria e Kosovës po bashkëndjejnë dhembjen dhe pikëllimin me familjet të cilat kanë humbur të dashurit e tyre, duke iu bashkuar lutjeve të popullit amerikan”, thuhet në telegramin e ministrit Hoxhaj.
XS
SM
MD
LG