Lidhje

Ivanov i kundërvihet komenteve të Berishës


Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov mbajti sot fjalimin e fundvitit në Parlamentin e vendit, ku veç deputetëve ishin edhe drejtuesit e institucioneve më të larta shtetërore dhe diplomatë. Zoti Ivanov, u shpreh mes tjerash, se politikanë nga fqinjësia me komentet e tyre nacionaliste nuk do të mund të prishin bashkëjetesën shekullore në Maqedoni. Fjalimin e tij e bojkotuan partitë opozitare shqiptare, të cilat vlerësojnë se presidenti Ivanov nuk përfaqëson shqiptarët e Maqedonisë.



Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov e filloi fjalimin duke përmendur arritjet e Maqedonisë në rrafshin ekonomik, në kuadër të vështirësive në rrafshin global. Ai tha se deficiti buxhetor është i ulët, 2,5% nga bruto prodhimi vendës, inflacioni i ulët prej 3.2% dhe se sistemi bankar është i qëndrueshëm. Në katër vitet e fundit në Maqeodni kanë hyrë mbi 1 miliardë e pesëqind milionë Euro investime të huaja, sipas presidentit Ivanov, i cili madje vlerëson se vendi është reformator i tretë në botë.
Ai shprehu zhgënjim lidhur me rezultatet e takimit të nivelit të lartë në Bruksel ku Maqedonisë nuk iu dha data për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, duke komentuar se mënyrat e vjetra të sjelljes ballkanike, aspiratat dhe ndasitë ende ekzistojnë dhe implikohen në rezultatet e takimeve të Bashkimit Evropian. Ai tha se zvarritja e integrimit të vendeve ballkanike në BE nuk i ndihmon realizimit të përcaktimeve të themeluesve të Evropës së Bashkuar.
Lidhur me marrëdhëniet ndërfqinjësore ai nuk u ndal veç e veç për çdo shtet, ndërsa tha se pasqyra reale është se shoqëria maqedonase nuk ka asnjë problem me asnjë shoqëri fqinje. Ndërkohë që tha se në adresë të Maqedonisë u drejtuan komente fyese nga disa politikanë të fqinjësisë, por pa përmendur emra.
“Nuk guxojmë të lejojmë të vihen në pyetje marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni”, tha presidsenti Ivanov duke shtuar se me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është arritur një nivel i lartë i mirëkuptimit, respektit dhe tolerancës.
Lidhur me incidentet që ndodhën javët e fundit në vend, zoti Ivanov tha se është keq që në to janë përfshirë njerëz të rinjë dhe u bëri thirrje atyre që nxisin vepra të tilla që të mendojnë seriozisht për pasojat e tyre, ndërsa u shpreh se ata nuk do të mund t’i shmangen drejtësisë.
Ai foli për nevojën e revitalizimit të zonave rurale, për sigurinë e prodhimit energjitik, lidhjet infrastrukturore, për çështjen e emrit të Maqedonisë.
Opozita maqedonase gjatë fjalimit shprehu zëshëm mospajtimin me disa nga komentet e presidentit Ivanov.
Lidhja Social Demokrate e opozitës maqedonase e cilësoi presidentin si zëdhënës të qeverisë.
Rilindja Demokratike Kombëtare, me dy deputetët e saj, nuk mori pjesë në seancë për shkak se, siç tha deputetja Flamure Kreçi, presidenti Ivanov edhe pse u zgjodh në post me votat e shqiptarëve, ai asnjëherë nuk ka paraqitur nevojat dhe interesat e popullit shqiptar. Presidenti Ivanov punon nën direktivat e kryeministrit Gruevski”, tha deputetja Kreçi për mjetet e informimit. Por partia VMRO-DPMNE në paraqitjen e zotit Ivanov ka parë një burrështetas të vërtetë, i vetëdijshëm për të gjitha sfidat me të cilat përballet Maqedonia, siç tha Silvana Boneva, kryetare e grupit parlamentar të kësaj partie.
XS
SM
MD
LG