Lidhje

Viti 2012 i suksesshëm për muzikën Country


Muzika country ishte mjaft e suksesshme gjatë vitit 2012: shitjet e albumeve u rritën krahasuar me vitin e kaluar, sezoni i koncerteve ishte mjaft i ndjekur dhe madje filloi edhe një dramë e re televizive, me titullin e përshtatshëm "Nashville". Materiali në vazhdim na njeh me disa nga momentet dhe ngjarjet kryesore të muzikës country gjatë vitit 2012.


please wait

No media source currently available

0:00 0:08:34 0:00
Direct link


Jason Aldean nxori në treg albumin e tij të pestë në vitin 2012. "Night Train" u shpall album platini kohët e fundit për shitjet e një milion kopjeve jashtë vendit dhe renditet në numrin nëntë të klasifikimit të fundvitit të albumeve country, në revistën Billboard.

Këngëtarja Taylor Swift renditet ndër më të mirët në shumë klasifikime, në sajë të suksesit të madh të albumit të saj të fundit, "Red". "Red" është albumi country më i suksesshëm i vitit 2012 dhe renditet në vendin e dytë të klasifikimit me 200 vende të revistës Billboard. Vetëm në javën e parë të daljes në treg, u shitën 1,2 milionë kopje të albumit “Red”, i cili e mbylli vitin me 2,3 milionë shitje totale. Taylor Swift është këngëtarja country më e mirë e vitit 2012 dhe renditet e treta mes artistëve të të gjitha zhanreve.

"We Are Never Ever Getting Back Together" ishte kënga kryesore e albumit “Red” të Taylor Swift. Ajo qëndroi nëntë javë në vendin e parë klasifikimit të këngëve më të mira country, duke vendosur kështu një rekord të ri në qëndrimin më gjatë në krye të kësaj liste nga një artiste solo femër.

Kenny Chesney dhe Tim McGraw realizuan turneun e koncerteve më të suksesshëm të muzikës country për vitin 2012. 23 koncertet e tyre "Brothers and Sun" në stadiume sollën më shumë se 96,4 milionë dollarë fitime.

Gjatë vitit 2012, disa artistë të rëndësishëm të muzikës country humbën jetën. Mes tyre ishin këngëtarët legjendarë Earl Scruggs, Doc Watson dhe Kitty Wells.
Ndër ngjarjet e tjera të rëndësishme të vitit mund të veçohet drama e re televizive të rrjetit ABC, “Nashville”, disa prej aktorëve të të cilës debutuan edhe në skenën e famshme të Qytetit të Muzikës.

Preferencat në shumë vende të botës u shtuan për Carrie Underwood, me daljen në treg të albumit të saj të ri “Blown Away”. Në mars, ajo do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar për të interpretuar për herë të dytë në më pak se një vit.

Gjasat janë që viti 2013 do të jetë një tjetër vit emocionues për adhuruesit e muzikës country. Tim McGraw, Perry Band, Faith Hill dhe George Strait janë disa nga yjet që pritet të nxjerrin albume të reja.

Kënga më e mirë e vitit 2012 është një këngë që nuk arriti të zëjë vendin e parë në klasifikimet javore. Por, ajo qëndroi mes këngëve më të mira gjatë 39 javëve, duke u bërë dhe kënga e dëgjuar më shpesh në radio gjatë vitit. Për ju, Josh Turner me këngën më të mirë country të vitit 2012, "Time is Love."
XS
SM
MD
LG