Lidhje

Shkolla DJ Beat Rafinery


Nga festat me muzikë hip hop në lagjet periferike deri te vallëzimet në klubet e qytetit, DJ-të miksojnë muzikë për një audiencë të përbërë si nga të rinj ashtu edhe më të moshuar. Në vitet e fundit, disa prej tyre janë bërë super-yje ndërkombëtare – më të njohur se sa grupet, muzikën e të cilëve ata luajnë. Ata që kanë aspirata për një karrierë në këtë fushë në rritje tani mund të mësojnë dhe përmirësojnë aftësitë e tyre në shkollat për DJ. Korrespondentja e Zërit të Amerikës June Soh vizitoi shkollën Beat Rafinery në Uashington dhe ka përgatitur materialin në vazhdim. Ta ndjekim.

“Ajo që bëj unë quhet lojë me tingujt e muzikës. Në thelb unë përdor dy disqe dhe ndërkohë që njëri prej tyre fillon të luaj muzikë unë përgatis tjetrën që të filloj nga e para”.

Sean Johnson po ndjek një klasë të avancuar për miksim, në përfundim të studimeve në shkollën Beat Rafinery. Për dy vjet, ai ka ndjekur mësimet në mbrëmje në shkollën për DJ që ndodhet në periferi të Uashingtonit. Gjatë ditës, ai punon si inxhinier zëri.

“Nuk e bëj më këtë punë me orar të plotë. Gradualisht unë po shkoj drejt punësimit me orar të plotë si DJ. Kjo është një mënyrë për të realizuar ëndërrën time”.

12 vjeçari Ethan Feinberg ka ndjekur mësimet në këtë shkollë për një vit e gjysmë.

“Kur të rritem, unë dua të bëhem DJ. Më pëlqen shumë muzika”.

“Kemi studentë nga mosha 10 deri 50 vjeçare. Në mesin e studentëve ka gra, burra, kombësi të ndryshme, në disa raste kemi patur studentë që nuk flisnin anglisht, por ata muzika i bashkonte”.

Chris Stiles, një DJ me karrierë të gjatë, në vitin 2010 ka bashkë-themeluar shkollën Beat Rafinery. Kjo është e vetmja shkollë për DJ në zonën e Uashingtonit.

“Ne menduam se themelimi i shkollës ishte i nevojshëm sepse në vende të ndryshme të botës njerëzit përdorin DJ në dasma, restaurante, klube ose dyqane të rrobave. Ka kërkesa të mëdhe për shërbimet e këtij profesioni”.

Shkolla ofron mësime për ata që dëshirojnë të bëhen DJ profesionistë, si dhe për ata që duan të merren me miksimin e muzukës në festat e miqve. Pas mbarimit të programit dyvjeçar studentët pajisen me një çertifikatë dhe atyre u jepet ndihmë për gjetjen e një vendi pune.

“Në dy vjet e gjysmë kemi patur rreth 600 studentë”.


Kim Venetz është një nga të diplomuarit. Ajo ka punuar në një zyrë para se të fillonte punë me orar të plotë në këtë profesion me pseudonimin, DJ Alkimist.

“Kur mësova teknikën e DJ-të në klasën e parë që ndoqa në Beat Rafinery, menjëherë e kuptova se kjo ishte punë për mua dhe që atëherë muzika nuk kishte të ndalur për mua. Kjo më pëlqen shumë”.

Ndërkohë që muzika elektronike Dance është bërë lloji kryesor i muzikës që vazhdimisht luhet nga DJ-të në klube dhe festa, zoti Stiles thotë se disa DJ janë bërë super-yje dhe kanë hapur dyert e kësaj industrie për të tjerët.
Sean Johnson është i bindur se e ardhmja e tij është e ndritshme.

“Nuk kam asnjë dyshim. Tani ka më shumë mundësi për punësim në këtë industri. Tani DJ-jtë cilësohen si interpretues. Dhe për këtë arsye mendoj se tani është kohë e mirë të jesh DJ”.

Kim Venetz është dakord me këtë vlerësim.

“Natyrisht, unë ndjehem më mirë se sa kur punoja në zyrë”.
Mbi të gjitha, Kim Venetz thotë se ajo është e lumtur pasi bën një punë që i pëlqen.
XS
SM
MD
LG