Lidhje

Stephen Hawking dhe misteret e universit


Astrofizikani britanik Stephen Hawking, i cili sot mbush 71 vjeç, ka bërë kërkime të shumta mbi natyrën e gjithësisë. Shkencëtari i njohur ka kaluar pjesën më të madhe të jetës me një sëmundje paralizuese, por përpjekjet e tij të guximshme për të zbuluar sekretet e kozmosit kanë shndërruar rrënjësisht fizikën dhe kanë frymëzuar miliona njerëz.

Muzeu Kombëtar i Hapësirës në Uashington mirëpret 8 deri në 10 milionë vizitorë në vit dhe është muzeu më i vizituar në botë. Historiani i hapësirës dhe kuratori David Devorkin thotë se njerëzit vijnë këtu për të kaluar disa orë duke eksploruar misteret e universit - një objektiv i jetës për Stephen Hawking.

"Pasioni i tij parësor është të kuptojë realitetin fizik. Çfarë është koha? Çfarë është hapësira? Çfarë është masa? Dhe si lidhen ato me njëra-tjetrën?"

Zoti Hawking është një fizikan me ide të guximshme. Puna e tij është përqëndruar në tejkalimin e hendekut mes teorisë së relativitetit të Albert Ajnshtajnit - e cila shpjegon se si forca e rëndesës kontrollon lëvizjen në hapësirë të objekteve të mëdha si yjet dhe planetet - dhe teorisë së fizikës kuantike, e cila merret me vetitë e grimcave subatomike.
Idetë e tij u përhapën gjerësisht në vitin 1988 me librin e tij të suksesshëm "Një histori e shkurtër e kohës".

"Ai është shumë i pasionuar me idenë se universi ekziston sipas një logjike dhe ndjek rregulla të caktuara."

Një ekspozitë e veçantë në Muzeun e Shkencave të Londrës u ofron vizitorëve mundësinë të shohin më nga afër punën themelore të zotit Hawking mbi vrimat e zeza, objektet jashtëzakonisht të dendura, forca e rëndesës e të cilave është aq e fuqishme sa që as drita nuk mund t'i shpëtojë tërheqjes së tyre. Një ilustrim i famshëm është modeli që astrofizikani Hawking përdori në vitet 1970 për të shpjeguar teorinë e tij mbi këtë dukuri të çuditshme kozmike. Kuratorja Alison Boyle shpjegon:

"Këtu tregohet tërheqja gravitacionale e një vrime të zezë. Kur një yll i madh shkatërrohet, ai arrin një pikë me dendësi të pafund. Kjo është pikërisht ajo që gjendet në brendësi të vrimave të zeza."

Stephen Hawking është pothuajse tërësisht i paralizuar nga skleroza anësore amiotrofike, një sëmundje nervore e pakthyeshme. Ai përdor karrige invalidësh dhe i duhet të flasë me ndihmën e një kompjuteri. Kur ishte 65 vjeç, atij i dhuruan diçka të veçantë: një udhëtim në një avion që simulon mungesën e forcës së rëndesës, si në rastin e astronautëve në hapësirë.

"Ishte e mrekullueshme, dhe nuk pata asnjë problem. Mund të kisha vazhduar pa fund."

Zoti Hawking e ka trupin të paralizuar, por mendja e tij endet e lirë. Në vitin 2008, gjatë një ceremonie me rastin e 50 vjetorit të Agjencisë Amerikane të Hapësirës, NASA, ai bëri thirrje për fillimin e një epoke të re në eksplorimin e hapësirës prej njeriut, e krahasueshme, tha ai, me udhëtimet evropiane në "Botën e Re" më shumë se 500 vjet më parë.

"Përhapja në hapësirë do të ketë një efekt edhe më të madh. Ajo do të ndryshojë tërësisht të ardhmen e njerëzimit dhe ndoshta do të përcaktojë nëse kemi apo jo një të ardhme."

Zoti Hawking thotë se e ardhmja varet prej edukimit të një brezi të ri shkencëtarësh, si këta të rinj, të cilët kanë ardhur në Muzeun Kombëtar të Hapësirës në Uashington me kuriozitet të madh.

Ndoshta një ditë ndonjë nga këta fëmijë do t’i bashkohet kërkimeve të shkencëtarit Stephen Hawking për të zbuluar misteret e gjithësisë.
XS
SM
MD
LG