Lidhje

Uashingtoni mbështet Korridorin e Jugut


Zëdhënësi i DASH: përcaktimi i rrugës Nabucco West apo TAP është një vendim biznesi që do të përcaktohet nga kompanitë private

Departamenti Amerikan i Shtetit po punon aktivisht për të nxitur ndërtimin e Korridorit të Jugut, por nuk ka një qëndrim për të mbështetur rrugë konkrete të eksportit të gazit nga rajoni i Kaspikut në Evropë. Një zëdhënës i tha Zërit të Amerikës se përcaktimi i rrugës së gazsjellësit, Nabucco West apo TAP, është një vendim biznesi që u takon kompanive private

Zëdhënësi tha se Zyra e Burimeve Energjitike në Departamentin e Shtetit, e drejtuar nga i Dërguari i Posaçëm dhe Bashkërenduesi për Çështjet e Energjisë Ndërkombëtare Carlos Pascual po punon intensivisht me vendet e këtyre rajoneve dhe mbarë Evropën, për të nxitur ndërtimin e Korridorit të Jugut.

Sipas zëdhënësit, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht ndërtimin e korridorëve të rinj, që do të sillnin një shumëllojshmëri burimesh energjitike, si dhe rrugësh tranziti të tyre. Sipas tij, për të arritur këtë qëllim,Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë vendet e Kaspikut dhe të Azisë Qendrore për të gjetur rrugë të reja drejt tregjeve, të cilat do të sillnin si pasojë një zhvillim më të madh ekonomik dhe do t’i lejonin këto vende të shtonin konkurencën për burimet e tyre si dhe të krijonin lidhje të forta me ekonominë globale.

Sekretarja e Shtetit Hillary Klinton diskutoi rreth çështjes së shumëllojshmërisë së burimeve energjitike me udhëheqësit evropianë në dhjetor gjatë takimit të Këshillit Amerikano-Evropian për Energjinë.
XS
SM
MD
LG