Lidhje

Jack Lew emërohet në postin e Sekretarit të Thesarit


Ai do të zëvendësojë Timothy Geithner, i cili ka marrë vlerësime të ndryshme për katër vitet e tij në detyrë

Presidenti amerikan Barak Obama do të emërojë sot shefin e tij të personelit, Jack Lew, në postin e sekretarit të Departamentit të Thesarit. Jack Lew do të zëvendësojë zotin Timothy Geithner, i cili ka marrë vlerësime të ndryshme për katër vitet e tij në detyrë.

Jack Lew e filloi karrierën si ndihmës për çështjet legjislative në vitin 1973 dhe më vonë mbajti poste kyçe buxhetore pranë Presidentëve Obama dhe Klinton.

Ai ka punuar gjithashtu si bankier investimesh. Jack Lew ka emër si një negociator i fortë i cili i kupton mirë çështjet e buxhetit.

Reputacioni i tij mund të vihet në provë në muajt e ardhshëm, kur Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë të debatojnë mbi buxhetin federal dhe borxhin i cili po rritet me shpejtësi.

Katër vjet më parë, kur zyrtari i Bankës Qendrore amerikane Timothy Geithner bëri betimin si Sekretar i Thesarit, papunësia ishte në rritje dhe tregjet e aksioneve dhe tregu i shtëpive ishin në rënie të shpejtë.

Zoti Geithner luajti rol që administrata e presidentit Bush dhe administrata e re Obama të përdorte 700 miliardë dollarë për të mbështetur firmat financiare në vështirësi në përpjekje për të qetësuar investitorët, bizneset dhe konsumatorët.

Pavarësisht nga kritikat e shumta, ekonomisti Desmond Lachman i Institutit American Enterprise thotë se programi funksionoi.

“Vendi po përballej me një krizë të madhe, shumë njerëz mendonin se ne fare lehtë mund të rrëshqisnim në një depresion ekonomik, por ai arriti ta stabilizojë situatën”.

Por zoti Lachman dhe kritikë të tjerë thonë se zoti Geithner bëri shumë pak për përmirësimin e rritjes së ekonomisë së vogël.

“Ai ka favorizuar investitorët e pasur të Wall Street-it dhe në disa raste e ka bërë këtë në kurriz të qytetarëve të thjeshtë”.

Sarah Anderson e cila punon në Institutin për Studimin e Politikave shpreson për një qasje të re në Departamentin e Thesarit.

“Janë tre gjëra që duhen parë me vëmendje te Sekretari i ardhshëm i Thesarit: A do të jetë ai më agresiv në frenimin e Wall Street-it? A do të bëjë më shumë për të ndihmuar njerëzit që po përballen me humbjen e shtëpive? A do të përpiqet të ulë deficitin apo do të presë deri sa të rimëkëmbet ekonomia e pastaj të merret me këtë çështje?”

Dy muajt e ardhshëm do të jenë një provë për zotin Lew, ndërkohë që beteja mbi deficitin buxhetor do të fillojë të ashpërsohet në Kongres. Megjithëse tregjet e aksioneve, tregu i shtëpieve dhe industria bankare janë stabilizuar, ekspertët paralajmërojnë se ekonomia amerikane mbetet e brishtë. Pa arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin në Kongres, ata thonë se rimëkëmbja e ekonomisë amerikane mund të frenohet.

XS
SM
MD
LG