Lidhje

Së shpejti trupat amerikane do t’ua kalojnë rolin luftarak afganëve


Analistët thonë se edhe pas 2 vjetësh, forcat afgane të sigurimit nuk do të jenë gati të luftojnë talibanët pa mbështetjen amerikane

Presidenti Barack Obama dhe homologu i tij afgan, Hamid Karzai thanë të premten pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë se brenda pak muajsh trupat amerikane do t’ua kalojnë afganëve rolin udhëheqës në operacionet luftarake kundër talebanëve. Por disa analistë thonë se një hap i tillë do të rrezikonte përparimin e bërë në atë vend gjatë luftës mbi 10 vjeçare.

Presidenti Obama tha se trupat amerikane në Afganistan do të kalojnë në rolin mbështetës disa muaj para se sa pritej.

“Trupat tona do të kenë një mission tjetër: trajnimin, këshillimin dhe ndihmën për forcat afgane. Do të jetë një moment historik”.

Presidenti Karzai tha se pas këtij kalimi, forcat afgane do të jenë plotësisht përgjegjëse për sigurinë e vendit të tyre.

“Forcat ndërkombëtare dhe ato amerikane nuk do të jenë më të pranishme në fshatrat afgane. Roli i forcave afgane do të jetë garantimi i sigurisë dhe mbrotja e popullatës afgane”.

Këto komente u bënë disa ditë pasi një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Obama la të kuptohej se Shtetet e Bashkuara mund t’i tërheqin të gjitha trupat nga Afganistani deri në fund të vitit 2014.

Disa analistë thonë se një hap i tillë do të rrezikonte përparimin e bërë në atë vend gjatë luftës mbi 10 vjeçare. Mes tyre është edhe ish ambasadori afgan në Uashington, Said Jawad:

“Mendoj se tërheqja e të gjitha trupave do të minonte arritjet e deritanishme në Afganistan”.

Analistët thonë se edhe pas 2 vjetësh, forcat afgane të sigurimit nuk do të jenë gati të luftojnë forcat talibane pa mbështetjen e helikopterëve amerikanë, qendrave mjeksore, informacionin e zbulimit dhe forma të tjera të rëndësishme.

“Kjo do të jetë shumë kritike. Mbështetje ajrore ndihmon në shtimin e besimit, veçanërisht për trupat e këmbësorisë, të cilat e dinë se po të vihen në një pozitë të vështirë, ato mund të kërkojnë mbështetje ajrore”.

Po të premten, Presidenti Karzai u prit me ceremoni të shumta në Pentagon. Ai falenderoi amerikanët dhe aleatët e NATO-s për sakrificat e tyre.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë që talibanët do të arrijnë marrëveshje me qeverinë afgane, megjithëse thuajse nuk është bërë asnjë farë përparimi.

“Bashkëpunimi i talibanëve do të jetë i vështirë, edhe nëse arrihet një marrëveshje dhe bihet dakord për kompromise mbi çështje me peshë. Por për momentin, nuk është arritur as edhe korniza e një marrëveshjeje”, thotë Marvin Weinbaum i Institutit për Lindjen e Mesme.

Mbajtja e forcave pas vitit 2014 do të kërkojë një marrëveshje mbi rolin e trupave amerikane, përfshirë edhe imunitetin e tyre ligjor.

Zyrtarë të lartë ushtarakë kanë bërë thirrje për një forcë të fuqishme, duke shprehur shqetësimin se një tërheqje e shpejtë mund të pasohet me dëmtimin e rëndë të aftësisë së forcave afgane të sigurimit.

Ndërsa është bërë përparim për të parandaluar kryengritësit talibanë që të rimarrin territore, dhuna ka vazhduar.

“Fatkeqësisht, ne kemi përjetuar tashmë në disa pjesë të Afganistanit praninë e talibanëve dhe aktivitete të vazhdueshme të al-Kaidës në Afganistanin lindor”, thotë ish ambasadori Jawad.

Ndërsa Presidenti Karzai i dha fund vizitës së tij, u duk se tashmë po i vjen fundi luftës së gjatë dhe të kushtueshme të Shteteve të Bashkuara në Afganistan.
XS
SM
MD
LG