Lidhje

Shqipëri: Ndarja e mandateve të parlamentit


Në Shqipëri debate të forta lidhur me ndarjen e mandateve të parlamentit sipas zonave hapën sot mbledhjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Përfaqësuesit socialistë kundërshtuan hapur kërkesën dërguar parlamentit nga sekretarja e Përgjithshme e Komisionit, ku sipas tyre kërkohej që të ishte parlamenti ai që të vendoste mbi ndarjen e mandateve.

Komisioni Qëndror dështoi pak javë më parë në arritjen e një marrëveshjeje, për shkak se socialistët pretenduan për manipulime me numrin e zgjedhësve në zonën e Kukësit, në mënyrë që sipas tyre këtij qarku të mos i shkurtohej një mandat deputeti. Nënkryetari i KQZ Denar Biba i propozuar nga opozita, e konsideroi një shkelje kushtetuese kërkesën për një vendimarrje nga parlamenti, aq më tepër kur kjo kërkohej të bëhej sipas të dhënave të vitit 2009, theksoi ai.

Nga ana e saj kryetarja e Komisionit Lefteri Lleshi akuzoi përfaqësuesit socialistë për deklarata dhe kërkesa të pabazuara në ligj.

Nuk është hera e parë që Komisioni qëndror përfshihet nga debatet dhe nuk arrin të marrë vendime të rëndësishme kur kërkohet një votim me konsensus. Ndarja e mandateve pritet të jetë një cështje e nxehtë që rrezikon të provokojë polemika të tjera mes palëve.
XS
SM
MD
LG