Lidhje

Media shqiptare mes integrimit dhe vështirësive


Bashkimi Europian u kërkoi sot mediave shqiptare që të ndjekin me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm misionin e tyre në dobi të qytetarëve dhe demokracisë, sepse liria e medias është një tjetër kriter kryesor në rrugën e integrimit europian të Shqipërië. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Etore Sequi, tha në një konferencë të posaçme me mediat se nuk ka demokraci pa shtyp të lire dhe se këto aspirata nuk duhen hedhur vetëm në letër, por edhe në praktikë.


“Liria e shprehjes dhe liria e shtypit janë të lidhura me lirinë e mendimit dhe të veprimit... Ne duam një media të lirë dhe jo thjesht lirinë e fjalës” – tha ambasadori Sequi. - Liria e medias zë një rol kryesor në kriteret e Kopenhagenit për antarësim në BE, në mënyrë që Shqipëria të zhvillojë dhe forcojë demokracinë, krahas të drejtave për gjykim të saktë, të drejtat e pronës dhe të drejtat për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Liria e medias është kryesorja në kriteret politike për antarësim dhe standartet e BE. Kjo është shumë e qartë në raportin e përparimit të Shqipërisë”.
Ai shtoi se me qëllim që media të përmbushë detyrimet e veta për demokracinë e vendit dhe integirmin në BE nevojiten veprime konkrete, që të tregojnë se gazetarët janë seriozë në sigurimin e medias së lirë dhe integrimin europian. Është në duart e shqiptarëve që të heqin kriminalizimin e medias, të rregullojnë transmetimet radio televizive dhe standartet etike, të bëjnë një ligj të mirë për mediat në një treg të ri dhe të hapur. Përmirësimi i punës së medias është një sfidë e vërtetë që lidhet me marrëdhëniet e gazetarëve me pronarët dhe me politikanët. Gazetarët mund të jenë vetë autorët e ndryshimit që presin të ndodhë. Ata e kanë vetë në dorë të ndryshojnë klimën dhe funksionimin e medias shqiptare, tha ambasadori Sequi.
Por çfarë mendojnë analistët mbi gjendjen e shtypit dhe medias në Shqipëri? Shkrimtari dhe publicisti i njohur Fatos lubonja thotë me shqetësim se mediat nuk po shkruajnë për jetën reale të shoqërisë, por thjesht po u shërbejnë pushteteve politike. Sipas tij, shoqëria politike dhe shoqëria mediatike kanë falimentuar, si dy anë të njëjtës medalje. Ato nuk janë pushtete të ndara, por janë pushtet i njëjtë.
Zoti Lubonja thotë se kjo gjendje falimenti mund të ndryshojë me masa energjike, por këto pushtete përpiqen të qëndrojnë sa më gjatë. Në pamundësi të ndryshimeve të forta është zgjedhur metoda e ndryshime të vogla dhe të ngadalshme, që nuk e pranojnë dështimin.
Publicisti Lubonja thotë se Mediat nuk po udhëheqin shoqërinë drejt ndryshimeve, por ato po pasqyrojnë dështimin e shoqërisë politike. Mediat e sotme shqiptare kanë nevojë për një ndryshim të madh, nëse duan që t’u largohen praktikës së mediave të pushtetit komunist, kur jeta e vërtetë e njerëzve në diktaturë ishte shumë ndryshe nga ajo që shfaqej në gazeta, radio - televizion.
Mediat shqiptare janë kritikuar gjatë viteve të tranzicionit për njëanshmëri politike, kompromentim të rolit te tyre qytetar dhe informues, si dhe për shkelje të etikës profesionale në marrëdhënie me grupime të veçanta interesi.
XS
SM
MD
LG