Lidhje

Entuziazmi i publikut për inaugurimin e presidentit Obama


Presidenti Barack Obama do të bëjë publikisht betimin për mandatin e dytë presidencial të hënën më 21 janar para qindra mijëra njerëzve, që pritet të mblidhen para selisë së Kongresit në Uashington. Ndjenja kombëtare ka ndryshuar ndjeshëm nga ajo e katër vjetëve më parë, kur zoti Obama bëri betimin për mandatin e parë 4 vjeçar në detyrë.

Entuziazëm i madh ndjehej kudo para 4 vjetësh, kur gati 2 milion vetë u mblodhën në Uashington për inaugurimin e presidentit të parë afrikano-amerikan të vendit.

“Në këtë ditë, ne mblidhemi sepse kemi zgjedhur shpresën në vend të frikës, bashkimin në vend të konfliktit dhe mosmarrëveshjeve”.

Sot pas katër vjetësh, ai entuziazëm publik ka ndryshuar nga realiteti politik dhe nga dëshira e madhe për kompromis. Në sheshin Times Square të Nju Jorkut një banor shprehet:

“Mendoj se duhet të tregojmë unitet dhe të bashkojmë të gjithë njerëzit”.

Në qendër të Hjustonit në Teksas Courtney shpreh të njëjtën dëshirë:

“Dua të shikoj që partitë politike diskutojnë çështjet dhe marrin vendime, në vend të mosmarrëveshjeve se cila parti është më e mirë”.

Ky mendim dëgjohet edhe para bashkisë së Los Anxhelosit në Kaliforni.

“Ata presin që Presidenti Obama të zhbëjë dëmet që lanë pas 6 presidentë. Ai është një person dhe ka kufi se sa shumë mund të bëjë”.

Zoti Obama fitoi nëntorin e kaluar mandatin e dytë presidencial, por 4 vjet beteja të ashpra politike kanë qënë me pasoja, thotë historiani presidencial, Richard Norton Smith.

“Entuziazmi, vala fillestare e mbështetjes për një president ndryshon nga realiteti pas 4 vjetësh. Shumica e presidentëve e kuptojnë se nuk është aq e lehtë të bëhen ndryshime rrënjësore. Është e pashmangshme që disa njerëz do të mbeten të zhgënjyer, disa njerëz do të hidhen në anën e kundërt. Çdo president pëson shumë plagë gjatë një periudhe 4 vjeçare, aq më tepër gjatë një periudhe 8 vjeçare”.

Zoti Obama nuk mund të kandidojë përsëri dhe koha që ai të arrijë gjëra të mëdha është relativisht e shkurtër, thotë analisti John Fortier.

“Mund të duket sikur presidenti ka tani një farë vrulli dhe një mandat, por këto gjëra kanë prirjen të veniten shumë shpejt. Presidenti nuk do të jetë në detyrë për shumë kohë dhe pas një kohe të shkurtër, vendi voton përsëri të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e senatorëve, zgjedhje këto që zakonisht fitohen me shumicë nga partia tjetër”.

Gjatë gjithë historisë së Shteteve të Bashkuara, inaugurimet e presidentëve kanë simbolizuar kalimin paqësor të pushtetit ose në rastin e rizgjedhjes së presidentit, vazhdimin e këtij pushteti.

Fjalimi i inaugurimit u ka dhënë presidentëve mundësinë që të bashkojnë vendin dhe të lënë gjurmë në histori, thotë analisti republikan, Scot Faulkner.

“Obama po përpiqet të lërë një trashëgimi. Ai nuk mund të kandidojë përsëri, shumë shpejt ai do të mbajë fjalimin para Kongresit mbi gjendjen e vendit, në të cilit ai mund të flasë më në hollësi rreth axhendës legjislative. Mendoj se me fjalimin e inaugurimit këtë radhë zoti Obama do të përpiqet të hyjë në histori”.

Por më pak njerëz do të jenë të pranishëm për ta parë këtë fjalim, meqë një numër më i vogël njerëzish pritet të vijnë në Uashington për inaugurimin e këtij viti krahasuar me 4 vjet më parë.
XS
SM
MD
LG