Lidhje

Fillon Festivali i Filmit Sundance


Festivali Vjetor i Filmit, Sundance, u hap dje në qytezën turistike Park City në shtetin Utah. Këtë vit në festival konkurojnë 119 filma nga 32 vende të ndryshme në këtë pikë pushimesh, që është bërë ndër destinacionet e preferuara të Hollivudit për sportet dimërore.

Festivali 35-vjeçar u krijua nga aktori dhe regjisori Robert Redford për të mbështetur kineastët e rinj që të prezantojnë realizimet e tyre. Ky festival është shndërruar në një institucion prestigjoz për mbështetjen e filmit amerikan dhe të huaj, duke u dhënë mundësi realizimeve me buxhet të vogël të prezantohen para publikut, duke arritur në disa raste edhe vlerësimet më të larta të kritikës dhe industrisë së filmit, si Çmimin Oskar.

Festivali i sivjetshëm u hap me filmin “May in the Summer” për peripecitë e një vajze jordaneze, të rritur në Shtetet e Bashkuara, e cila kthehet në Jordani për t’u përgatitur për dasmën.

Festivali përfshin edhe një listë të pasur me dokumentarë me tema nga më të ndryshmet, që nga rastet e vetëvrasjes në familjen Heminguej, e deri tek jeta e përditshme e kërcimtarëve që shoqërojnë këngëtarë të famshëm në interpretimin në skenë. Festivali vazhdon deri më 27 janar.
XS
SM
MD
LG