Lidhje

Fundjava e inaugurimit


Pas fitimit të një gare të vështirë presidenciale, Presidenti Barak Obama bëri zyrtarisht betimin për fillimin e detyrës në një ceremoni private në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Obama nisi dje aktivitetet e fundjavës së inaugurimit në një shkollë të Uashingtonit, ndërkohë që kryeqyteti bën përgatitjet e fundit për ceremoninë publike të betimit të Presidentit.

Zoti Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama ndihmuan në rregullimet e një shkollë fillore, si pjesë e aktiviteteve kombëtare të shërbimit vullnetar të organizuara nga komisioni i inaugurimit. Ata e nisën traditën përuruese të fundjavës së inaugurimit me zhvillimin e Ditës Kombëtare të Shërbimit katër vjet më parë. Presidenti Obama do të bëjë sërish betimin nesër, një ditë që përkon me festën federale të ditëlindjes së udhëheqësit të vrarë të të drejtave civile Martin Luther King Jr. Zoti Obama e kujtoi atë dje gjatë fjalës së tij.

"Ndërkohë që mendojmë se si do të festojmë këtë fundjavë - edhe inaugurimin - por mbi të gjitha do të festojmë ditëlindjen e Dr. Kingut, më vjen gjithmonë në mend se ai tha se gjithkush dëshiron që të jetë i pari, të gjithë duan jenë në krye, por nëse dëshiron të jesh i tillë, duhet të jesh një udhëheqës në shërbim të të tjerëve, që lufton për drejtësi, që kujdeset për njerëzit."

Zyrtarët parashikojnë se në ceremoninë publike të ditës së nesërme do të marrin pjesë rreth 800 mijë vetë, një shifër shumë më e ulët se 1,8 milionë njerëzit që mbushën rrugët e qytetit katër vjet më parë, për të shënuar fillimin e mandatit të parë të Presidentit Obama.

Për të ndarë me amerikanët entuziazmin e aktiviteteve gjatë inaugurimit kanë ardhur edhe vizitorë nga vende të tjera.

"Unë mendoj se kjo është pothuajse një ngjarje botërore, jo vetëm amerikane. Ne të gjithë jemi krenarë për faktin se Amerika është një vend që ka zgjedhur si president një person, i cili disa vjet më parë, teknikisht, nuk kishte të drejtë as të kandidonte për këtë post."

Nesër, inaugurimi i zotit Obama do të pasohet nga një paradë dhe disa ballo.
XS
SM
MD
LG