Lidhje

Rrënohet monument i LNÇ-së, pezullohen pesë policë


Pesë pjesëtarë të policisë janë pezulluar pas dështimit për të parandaluar rrënimin e një monumenti kushtuar të rënëve në Luftën e Dytë Botërore

Policia e Kosovës bëri të ditur se janë pezulluar nga puna pesë zyrtarë të saj, pas rrënimit të një monumenti që i kushtohej Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Një grup qytetarësh të komunës së Vitisë në lindje të Kosovës, rrënuan një monument kushtuar të rënëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në shenjë hakmarrjeje ndaj heqjes së pllakës përkujtimore kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, nga ana e forcave serbe.

Në një njoftim të policisë thuhet se drejtoria e përgjithshme e policisë në Prishtinë, paraprakisht kishte njoftuar drejtorinë rajonale të policisë në Gjilan, respektivisht komandantin e stacionit policor në Viti, për të parandaluar rrënimin e këtij monumenti, pasi që paraprakisht kishte informacione për një synim të tillë.

Në njoftim thuhet se pas analizës së bërë lidhur me angazhimin e zyrtarëve policor të stacionit policor në Viti, është përfunduar se zyrtarët nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura në aspektin profesional për të parandaluar “aktin kriminal të rrënimit të monumentit”.

Për këtë arsye është vendosur pezullimi i zyrtarëve policor, thuhet në njoftim në të cilin nënvizohet se “policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha detyrave në pajtim me ligjet në fuqi më qellim ofrimit dhe ngritjes se nivelit të sigurisë për të gjithë qytetaret e vendit pa dallim”.
XS
SM
MD
LG