Lidhje

SHBA: 40 vjet më vonë, aborti një çështje e nxehtë


Palët pro dhe kundër abortit janë shumë larg njera tjetrës; cilat janë arsyet për këtë?

Kanë kaluar 40 vjet që kur Gjykata e lartë e Shteteve të Bashkuara ligjëroi abortin, por debati rreth kësaj praktike është më i nxehtë se kurrë më parë.

Për Jody Duffy-in, aborti është diçka personale. Kur ishte e re dhe punonte në ushtri, ajo u përdhunua, mbeti shtatzanë dhe abortoi.

Tani pas 30 vjetësh, në tabelën e saj thuhet, "Jam penduar për abortin tim".

"Kurrë nuk do të gjykoj dikë dhe ta qortoj për abortin. Unë dua që njerzit ta dinë se nuk mund të shkojnë në një klinikë për të abortuar dhe të mendojnë se do të hyjnë në atë klinikë dhe do të dalin ashtu siç hynë, pra i njëjti person".

Jody Duffy është në njërën anë të debatit të apasionuar rreth abortit, ndërsa Yasemin Ayarci është në anën tjetër.

"Ne duam të ulim nivelet e abortit dhe bashkohemi me palën tjetër për të arritur këtë objektiv, por duam ta bëjmë këtë nëpërmjet formave më të arsyeshme, arsimit seksual dhe disponimit të kontraceptivëve".

Këtë javë u mbushën 40 vjet nga vendimi i Gjykatës së Lartë që ligjëroi abortin, i cili njihet si Roe përkundrejt Wade. Çdo vit, dhjetra mijëra njerëz mblidhen për atë që njihet si marshimi "i së drejtës së jetës" drejt Gjykatës së Lartë të vendit.

Amerikanë të rinj, si Kristan Hawkins, kanë lindur pas vendimit Roe përkundrejt Wade.

“Brezi im, ne që i shpëtuam abortit të ligjshëm, ne jemi brezi pro jetës”.

Por argumenti pro-jetës bie ndesh me një anketë të kohëve të fundit e zhvilluar nga rrjeti televiziv NBC dhe gazeta Wall Street Journal, e cila tregon se 70 për qind e amerikanëve nuk mbështesin përmbysjen e vendimit për ligjësimin e abortit.

Father Frank Pavone kryeson grupin kundër abortit, Priftërinjtë për Jetën.

“Në Amerikë ka forca shumë të fuqishme që i japin formë opinionit publik dhe mbrojnë industrinë e abortit, si për shembull organizata Planned Parenthood, organizata të financiara shumë mirë, dhe shumicave e fondeve vijnë nga vetë qeveria, e cila ka krijuar perceptimin se ky është një aktivitet i përgjegjshëm”.

Marcia Greenberger, avokate e specializuar për abortin, thotë se kjo është një çështje politike.

“Asgjë nuk është e sigurtë për gjithnjë, dhe për arsye të një pakice të vendosur dhe një shumice mjaft të qetë dhe të vetëkënaqur, në gjykata federale ka juristë, të cilët janë të përkushtuar për ta kufizuar, madje edhe përmbysur vendimin Roe përkundrejt Wade".

Disa prej këtyre juristëve janë në Gjykatën e Lartë, megjithatë nuk ka plane të menjëhershme për të shqyrtuar vendimin Roe përkundrejt Wade.
XS
SM
MD
LG