Lidhje

PDK mban Kongresin zgjedhor


Kosovo, PDK
Kosovo, PDK

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, bojkoton Kongresin e partisë së tij në shenjë pakënaqësie me zhvillimet brenda saj

Sonte dhe nesër në Prishtinë, mbahet Kongresi zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila drejton edhe qeverinë e vendit. Kongresi po mban punimet nën hijen e përplasjeve të brendshme.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, do të bojkotojë Kongresin e partisë së tij në shenjë pakënaqësie me zhvillimet brenda saj. Ai kritikoi ashpër kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi që njëherësh është kryetar i Partisë Demokratike për siç ka thënë ai, shndërrimin në sundimtar të partisë.

Kritikat e tij, ai i përmblodhi në një letër në të cilën shpjegon arsyet përse nuk do të marrë pjesë në Kongresin zgjedhor të Partisë Demokratike ku ai mban aktualisht postin e sekretarit të përgjithshëm.

Në letër ai thekson mes tjerash se beson në Partinë Demokratike të Kosovës dhe programin e saj, i cili thotë ai, është shpërfillur. Ai thotë se për një kohë kishte shpresuar se do të ketë “këndellje, reflektim dhe qartësi. Por, për më shumë se dy vjet, nuk e pashë këtë gatishmëri dhe, sidomos jo, nga sundimtari i gjithëpushtetshëm i PDK-së, siç e percepton ai veten, i cili e shfrytëzon partinë për çdo gjë e si do ai, si një pronë private me shumë çipçinj të tij. Ata duhet të flasin, sipas tij, vetëm atë që e mendon shefi ose të heshtin sepse shefi mendon për të gjithë, sepse shefi i di të gjitha dhe vendos për çdo gjë. Kjo ka bërë që ai të shpallet edhe shenjtori i fundit i botës sonë, gjë që nuk ndodhë asgjëkund në botën demokratike. Vetëkënaqësia e stisur me epitetin SHEF, vetëkupton të “Madhërishmin”: kur flet shenjtori çka kanë për të thënë të vdekshmit e tjerë?
Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi

Më tej zoti Krasniqi thekosn se “Zgjedhjet” e fundit nacionale dhe sidomos këto të fundit partiake, dëshmojnë përfundimisht se kreu i PDK-së e ka nxjerrë tërësisht partinë nga shtrati i saj themeltar, jashtë programit e statutit të saj, rrjedhimisht jashtë të gjitha vlerave themeluese e normuese. Ka eliminuar çdo debat e diskutim e bashkë me këtë çdo vlerë që do të rezultonte gjithandej edhe për çështjet më vitale për vendin dhe kombin. As për reformën zgjedhore, “një anëtar një votë”, as për qeverisjen e fundit edhe pas shumë skandaleve nuk ka pasur gatishmëri për të diskutuar, analizuar e ndryshuar. Partia është shkëputur nga ideali kombëtar i themeluesve, nga ideali i anëtarësisë dhe elektoratit që i ka qëndruar besnik partisë, nga ideali i brezave për shtet ligjor e demokratik, nga vullneti e perspektiva për një zhvillim ekonomik, arsimor, kulturor si dhe nga obligimi e përkushtimi për një jetë më të dinjitetshme të qytetarit tonë, i cili ka sakrifikuar shumë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë. Kulmi i të gjitha këtyre, në dy vitet e fundit, është shfaqur në përcaktimin - emërimin e njerëzve pa asnjë kriter në institucionet më të larta të vendit, skandalet e vazhdueshme në kabinetin qeveritar deri te krimi i organizuar, i manifestuar në rastin e “Grandit”, “Veliaj” etj. Ishte më shumë se shqetësuese dhe, madje alarmuese, do të thosha, zbritja e standardit në nivel përfaqësimi institucional e qytetarë të atyre që do të duhej të ishin prezantues të aspiratave dhe kërkesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Duke radhitur kritika të tilla, zoti Krasniqi thotë se nuk do të jetë pjesëmarrës në Kongresin zgjedhor të PDK-së, meqë “përmes këtij procesi “zgjedhor”, kreu i saj ka bërë zgjedhje për të kënaqur ambiciet e tija dhe vetëm të tija, por jo zgjedhje për Kosovën dhe qytetarët e saj. Unë kam kërkuar dhe do të angazhohem për subjekt politik që bënë zgjedhje të ndershme për qytetarët e Kosovës të cilët meritojnë një jetë më të dinjitetshme”.

Përplasjet ndërmjet zotit Krasniqi dhe partisë së tij janë shfaqur herë pas here që nga zgjedhjet vitit 2010. Gjatë vjeshtës së vitit që lamë pas emri i tij ishte përmendur në disa telefonata të përgjuara të zyrtarëve të lartë të PDK-së ku ai kritikohej për “pengim procesesh”.

Letra e zotit Krasniqi nuk është komentuar nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, ndërsa nga vëzhguesit vlerësohet si përfundim i anëtarësisë së tij ku që nga themelimi ishte njëri nga personalitetet kryesore.

Zoti Krasniqi thekson në letrën e tij se “për angazhimin, vendimin dhe veprimin tim të mëtejshëm, qytetarët do t’i informoj më kohë”.
XS
SM
MD
LG