Lidhje

Tensionet në Detin e Kinës Jugore, sfidë për SHBA


Presidenti Barack Obama e filloi mandatin e dytë duke u përballur me tensione të reja në detin e Kinës Jugore, ndërsa Filipinet kanë paraqitur në Kombet e Bashkuara mosmarrëveshjen me Kinën. Në materialin në vazhdim, do të flasim mbi mënyrat se si presidenti Obama dhe Sekretari i tij i ardhshëm i Shtetit do ta trajtojnë këtë krizë.

Marina e Kinës patrullon ujrat e kontestuara të detit të Kinës Jugore. Filipinet nuk e pranojnë autoritetin e Kinës mbi këtë zonë dhe ia kanë paraqitur çështjen një gjykate të Kombeve të Bashkuara. Nënsekretari i Filipineve për Çështjet e Jashtme, Gilbert Asuque:

“Ne duam që gjykata e arbitrazhit të përcaktojë të drejtat e Filipineve për të shfrytëzuar në mënyrë ekskluzive burimet në detin e Filipineve Perëndimore”.
Kina thotë se hapi i Manilës e komplikon mosmarrëveshjen mes dy vendeve.

“Kina gëzon sovranitet të padiskutueshëm mbi ishujt e detit të Kinës Jugore dhe në ujrat përreth. Thelbi i mosmarrëveshjes është shkaktuar nga okupimi i paligjshëm i disa zonave kineze prej Filipineve”, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Hong Lei.

Justin Logan në Institutin Cato thotë se paraqitja e çështjes në gjykatën e arbitrazhit të OKB-së bie ndesh me mënyrën se si Kina dëshiron ta zgjidhë mosmarrëveshjen.

“Kina është përpjekur me të gjitha mundësitë që ta mbajë këtë çështje si një mosmarrëveshje dypalëshe mes saj dhe palëve të prekura dhe që kjo çështje të mos marrë karakter ndërkombëtar në mënyrë sistematike”.

Edhe nëse gjykata e Kombeve të Bashkuara vendos në favor të Manilës, zoti Logan vë në pikëpyetje se kush do ta zbatojë këtë vendim.

“Nëse vendimi i gjykatës do të pasohet me një luftë me Kinën, atëhere ky vendim mund të mos zbatohet. Ai mund të shndërohet në një mjet negociatash, në të cilat Filipinet shpresojnë të dalin fitimtarë, nëse Kina është e gatshme të bëjë lëshime”.

Pretendtimet kineze në detin e Kinës Jugore ishin pjesë e seancave të konfirmit për senatorin John Kerry, i cili është emëruar nga Presidenti Obama për postin e Sekretarit të Shtetit. Senatori republikan i Floridës, Marco Rubio vuri në pikpyetje qëndrimin e administratës lidhur me krizën.

“Kina po bëhet gjithnjë e më agresive rreth pretendimeve të saj territoriale dhe fqinjët e saj po presin të shikojnë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe rolin udhëheqës ameriakne si një kundër balancë”.

Senatori Kerry tha se Kina po reagon ndaj shtimit të forcave amerikane në Azi-Paqësor.

“Kinezët shikojnë shtimin e forcave amerikane dhe thonë: 'Çfarë po bëjnë Shtetet e Bashkuara? A po përpiqen të na rrethojnë? Çfarë po ndodh”?

Duke pasur parasysh mosmarrëveshjet e Kinës me Filipinet, Vietnamin dhe vendeve të tjera aziatike, senatori Kerry tha se është e rëndësishme që Uashingtoni të përforcojë marrëdhëniet me Pekinin.

“Kina është ekonomia tjetër e rëndësishme në botë dhe duket qartë se ky vend ka një oreks shumë të madh për burimet në mbarë botën prandaj ne duhet të vendosim rregulla që funksionojnë për çdo vend”.

Kina thotë se po punon për zgjidhjen e pretendimeve rivale nëpërmjet dialogut, por kundërshton mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një angazhim më të madh të një aleance të vendeve të Azisë Juglindore.
XS
SM
MD
LG