Lidhje

Senatorët propozojnë reformë të thellë imigracioni


Një grup prej tetë senatorësh dhe republikanësh ka paraqitur një plan për reformë gjithëpërfshirëse të sistemit të imigracionit, përfshirë një rrugë drejt shtetësisë për rreth 11 milionë imigrantët e paligjshëm që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Barack Obama pritet të bëjë sot një propozim të tijin për imigracionin. Grupet e të drejtave civile dhe të imigrantëve po e përshëndesin këtë shtytje për ndryshim.

Reforma gjithëpërfshirëse e imigracionit ka qenë e debatueshme dhe e vështirë për t’u realizuar. Përpjekjet për ta ndryshuar rrënjësisht sistemin kanë dështuar. Por një grup dypartiak prej tetë senatorësh ka rënë dakord për parimet e reformës. Senatori demokrat Charles Schumer u tha gazetarëve se rrethanat kanë ndryshuar.

“Për herë të parë ndonjëherë, rreziku politik është më i madh po ta kundërshtosh këtë çështje sesa po ta mbështesësh”.

Në zgjedhjet e nëntorit, 71 për qind e votuesve hispanikë zgjodhën Presidentin Obama, krahasuar me 27 për qind që votuan për kandidatin republikan Mitt Romney, sipas anketave pas votimit. Zoti Romney ka përmendur largimin vullnetar si zgjidhje për punonjësit pa dokumenta.

Propozimi i ri përfshin kërkesat republikane për zbatim rigoroz të masave të kufirit dhe vizave para se të ofrohet një rrugë drejt statusit të banorit të përhershëm dhe shtetësisë për punonjësit pa dokumenta.

Senatori republikan Marco Rubio, një kubano-amerikan, këmbënguli për kontroll të rreptë të vizave për hyrje dhe dalje, në mënyrë që Shtetet e Baashkuara të mos përballen me të njëjtin problem pas disa vitesh.

“Dhe prandaj jam i kënaqur që këto parime parashikojnë jo vetëm nevojën për të zbatuar ligjet e imigracionit, por e bëjnë këtë në një mënyrë përfundimtare”.

Sipas propozimit, punonjësit pa dokumenta mund të aplikojnë për dokumenta pa iu dashur të shkojnë në vendin e tyre. Senatori republikan John McCain e vuri theksin tek kostoja njerëzore e jetesës së miliona vetëve nën frikën e deportimit.

“Për një kohë të gjatë kemi lejuar njerëz të korrin barin e shtëpive tona, të na pastrojnë shtëpitë, të na shërbejnë ushqim dhe të kujdesen për fëmijët tanë, ndërkohë që nuk u japim mundësinë të përfitojnë nga mundësitë që e bëjnë Amerikën një vend të madh”.

Organizatat e të drejtave civile dhe sindikatat e përshëndetën njoftimin. Aktivistja e të drejtave të njeriut Veronica Saravia prezantoi motrën e vet Diana që ka përkrahur këtë nismë në shkollë.

“Dhe tani ajo është e angazhuar që të luftojë për një reformë gjithëpërfshirëse të imigracionit, sepse do që ta mbajë familjen të bashkuar, do që motra e saj e madhe të jetë me të”.


Por disa anëtarë të Kongresit janë shprehur kundër planit të ri. Senatori republikan Jeff Sessions shprehu mosbesim.

“Do t’u tërhiqja vëmendjen kolegëve se një propozim nuk është ligj”.

Presidenti Obama e përshëndeti propozimin dhe sot do të paraqesë vizionin e tij për reformë.
XS
SM
MD
LG