Lidhje

NYT, akuza Kinës për sulm kibernetik


Sipas gazetës Kina ka kryer sulme kibernetike ndaj faqes së saj të internetit dhe kompjuterave të gazetës

Gazeta the New York Times thotë se Kina ka kryer sulme kibernetike ndaj faqes së saj të internetit dhe kompjuterëve të gazetës në mënyrë të vazhdueshme gjatë katër muajve të fundit, pas botimit të një artikulli mbi pasurinë e zyrtarëve të lartë kinezë.

Gazeta New York Times tha se sulmet filluan në tetor kur ajo botoi një artikull mbi pasuritë me vlerë 2.7 miliardë dollarë të akumuluar nga familja e kryeministrit kinez në largim Wen Jiabao. Zyrtarët kinezë kishin paralajmëruar se New York Times do të ballafaqohej me “pasoja”, madje edhe para botimit të artikullit. Prandaj, gazeta filloi të kontrollonte infrastrukturën e saj kompjuterike dhe shumë shpejtë zbuloi ndërhyrjet në rrjetin e saj të brendshëm. Marc Frons është shef i informacionit i gazetës New York Times:

“Në atë moment ne ishim të sigurt se kishte sulme kibernetike në rrjetin tonë. Ne nuk e dinim saktësisht se kush po ndërhynte në rrjetin tonë. Kërkuam ndihmë nga FBI-ja dhe si FBI-ja ashtu edhe kompania e telekomunikacionit AT&T thanë se sulmi kishte shenja dalluese të ndërhyrjeve të ushtrisë kineze”.

Të enjten New York Times njoftoi se gjatë sulmit kibernetik janë vjedhur fjalëkalimet e e-mailave të stafit të saj.

Kina i mohoi akuzat përmes zëdhënësit të ministrisë së Jashtme kineze Hong Lei:

“Disa hetime, pa dhënë asnjë provë, me të dhëna të pabaza, arrijnë në përfundimin se Kina ka marrë pjesë në sulme kibernetike në internet. Këto vlerësime janë krejtësisht të papërgjegjshme”.

Zëdhënësi tha se ligjet kineze ndalojnë sulmet kibernetike dhe se edhe Kina ka qenë viktimë sulmeve të këtij lloji.

Eksperti i sigurisë së rrjeteve të internetit Paolo Gusti, i cili punon në Institutin Teknologjik të Nju Jorkut thotë se ky sulm i ngjante sulmeve të tjera kibernetike të ushtrisë kineze. Ai tha se janë bërë përpjekje për të fshehur burimin e sulmit duke përdorur kompjuterët e universiteteve.

“Ishte një rast shumë interesant i një sulmi kibernetik dhe është kryer nga individë shumë të aftë. Autorët e sulmit përdorën teknika shumë të sofistikuara. Ata u përpoqën të fshehin gjurmët e tyre, dhe natyrisht ata kishin një objektiv të nivelit të lartë”.

Objektivi i ndërhyrjes në rrjetin informativ te gazetës ishte zbulimi i identiteti të burimeve të gazetës mbi artikullin rreth pasurisë së familjes së kryeministrit Wen Jiabao. Sipas gazetës autorët e sulmit kibernetik nuk kanë gjetur asnjë burim pasi artikulli i gazetës bazohej në të dhëna nga dokumentet publike në Kinë.

Eksperti i sigurisë së internetit Paulo Gusti thotë se dëmet e bëra mund të riparohen shpejt:

“Mbrojtja nga sulme të tilla, kërkon riparimin e të gjitha mangësive të një rjeti kompjuterik, ndërsa për atë që kryen sulmin, mjafton një dobësi e vetme e rrjetit, përmes së cilës ai mund të hyjë në rrjetin e kompjuterave”.

Zoti Gusti thotë se përballja me një kundërshtar të vendosur dhe të aftë mund të jetë e vështirë madje edhe për një qeveri sepse është e vështirë t’i mbyllësh të gjitha dobësitë e mundshme të sistemeve kompjuterike. Ky rast është dëshmi se interneti ka shkrirë kufijtë kombëtarë të vendeve. Edhe gazeta New York Times thotë se pret shtimin e përpjekjeve për sulme të ngjashme kibernetike kundër saj në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG