Lidhje

Shqetësime në Evropë mbi kërcënimin e ri në Afrikë


Tani që Britania ra dakort të dërgojë trupa në Mali në një rol jo-luftarak, është shtuar shqetësimi në Londër se vendi po hyn në një tjetër betejë kundër terrorizmit, ndërsa po përpiqet të tërheqë forcat ushtarake nga Afganistani. Por a do të jetë Afrika Veriore një front i ri për Evropën dhe Perëndimin? Në vazhdim ju njohim me disa argumente që japin analistët për këtë çështje:

Kryeministri britanik David Cameron në sheshin “Martirët” në Tripoli javën e kaluar – pjesë e një turneu në Libi, Algjeri dhe Liberi.

"Nuk ka liri të vërtetë, demokraci të vërtetë, pa siguri dhe stabilitet dhe ne jemi të vendosur t’ju ndihmojmë ju dhe mbarë rajonin."

Ai ishte në ballkonin përballë sheshit “Martirët”, ku ish udhëheqësi libian Moammar Gadhafi mbante fjalime ku denonconte Perëndimin.

Në shtator 2011, zoti Cameron dhe homologu i atëhershëm francez Nicolas Sarkozy u pritën me brohoritje në Benghazi pasi ndërhyrja e tyre ndihmoi në rrëzimin e regjimit të Gadafit.

Vetëm 18 muaj më pas, Afrika Veriore përbën një kërcënim të ri për Perëndimin, thotë Rafaello Pantucci në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër.

"Al Kaida në Magrebin islamik dhe grupe të tjera radikale terroriste, rrjetet e kryengritësve dhe ato kriminale në Afrikën Veriore ishin në gjendje të forcoheshin nga vërshimi i armëve nga depot e Gadafit. Kjo ka nndihmuar në nxitjen e paqëndrueshmërisë në mbarë rajonin. "

Ushtria franceze e ndihmoi Malin të dëbojë militantët islamikë nga pozicionet e tyre në veri. Vëzhguesit thonë se ata mund të përballen tani me një betejë guerrilase afatgjatë në shkretëtirën e Saharës.

David Cameron ka rënë dakort të dërgojë të paktën 200 trupa britanike në Mali me mission stërvitor dhe për të shtuar lidhjet e sigurisë me Algjerinë.

Thëniet se vendet perendimore janë duke u tërhiqur në një betejë të re kundër terrorizmit janë të gabuara, thotë Rafaello Pantucci.

"Sinqerisht nuk mendoj se ka etje politike në kryeqytetet perëndimore për t’u përfshirë përsëri në këtë lloj konflikti. Mendoj se me këtë qasje që janë duke marrë në këtë moment qeveritë perëndimore, ato janë duke u përqendruar në marrjen e kapaciteteve lokale."

Sulmi muajin e kaluar në uzinën e gazit në Algjeri rezultoi në vdekjen e të paktën 37 pengjeve të huaja.

Në një video të publikuar në internet, organizatori i sulmit, Mokhtar Belmokhtar, paralajmëroi për sulme të tjera.

Në një incident tjetër, dy roje të sigurisë gjetën vdekjen në një rafineri nafte në Algjeri.

Sajjan Gohel është drejtor për Sigurinë Ndërkombëtare në fondacionin e Azi Paqësorit.

"Partnerët e Al Kaidës në Afrikën Veriore kanë synimin dhe kapacitetin për të organizuar aktivitete dhe komplote terroriste në shkallë të gjerë. Ata janë në gjendje gjithashtu të depërtojnë dhe të kalojnë pikat e sigurimit. Afrika e Veriut ka patur probleme në të kaluarën . Ata nuk kanë tërhequr aq shumë vëmendje sa në Azinë Jugore, përshembull. Por tani mendoj se po shohim një shqetësim të ri nga terrorizmi në këtë rajon."

Analistët thonë se formuluesit e politikave në Uashington janë të kënaqur të luajnë një rol mbështetës, ndërsa fuqitë evropiane kanë marrë pozicionin udhëheqës në përballimin e kërcënimeve terroriste.
XS
SM
MD
LG