Lidhje

Fillon takimi i lartë i BE-së


Takimi pritet të verë përballë vendet veriore, financiarisht më konservatore ndaj atyre të jugut dhe lindjes së Evropës, që dëshirojnë më shumë fonde për infrastrukturë dhe bujqësi

Takimi pritet të verë përballë vendet veriore, financiarisht më konservatore të Bashkimit Evropian ndaj atyre të jugut dhe lindjes së Evropës që dëshirojnë më shumë fonmde për infrastrukturë dhe bujqësi.

Krerët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për një takim dy ditor mbi buxhetin afat-gjatë të BE-së. Udhëheqësit shpresojnë të gjejnë një kompromis, pasi nuk arritën marrëveshje në takimin e mëparshëm. Takimi pritet të verë përballë vendet veriore, financiarisht më konservatore të Bashkimit Evropian ndaj atyre të jugut dhe lindjes së Evropës që dëshirojnë më shumë fonmde për infrastrukturë dhe bujqësi.

Një shumë prej afro 1 trilion eurosh, e ndarë për nevojat e 28 vendeve anëtare do të jetë tema qendrore e diskutimeve me shpresën për arritjen e një marrëveshjeje. Alternativa e mosarritjes së marrëveshjes do të ishte katastrofike për shumë vende që kanë varur shpresat tek këto fonde për investime të rëndësishme dhe hapjen e vendeve të punës.

Por kompromisi nuk është aspak i sigurtë, ndërkohë që disa vende anëtare e kanë bërë të qartë se buxheti i ri duhet të pasqyrojë vështirësitë ekonomike aktuale:

“Ajo që po diskutojmë këtu është shuma që do t’i lejohet Bashkimit Evropian të shpenzojë gjatë shtatë vjetëve të ardhshëm. Të flasim hapur, Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë i paprekshëm nga presionet që kemi ndjerë të gjithë ne për të shkurtuar shpenzimet dhe për të përdorur fondet në mënyrë të matur. Në takimin e nëntorit, shifrat që na u parashtruan ishin tepër të larta, ato duhet të reduktohen, përndryshe nuk do të ketë marrëveshje”.

Por vende si Franca, duket se nuk do të tregohen të gatshme për shkurtime të thella që mund të dëmtojnë fondet për rritje ekonomike dhe sektorë të rëndësishëm për disa vende përkatëse:

“Nëse në përpjekjet për kompromis me të gjitha mënyrat, dëmtohen politikat e përbashkëta për sektorin e bujqësisë apo nuk përfillen nevojat për rritje ekonomike, unë nuk do të jem dakord”.

Vende në vështirësi ekonomike, si Italia, vijnë në takim me preokupimin për të siguruar një përqindje sa më të madhe të këtij buxheti për nevojat e tyre:

“Vëmendja jonë kryesore është në cilësinë e rezultateve, si në drejtim të përparësitë për rritjen, ashtu edhe në ndarjen e drejtë të buxhetit për vendet anëtare”.

Mungesa e një marrëveshjeje për buxhetin do të sillte pasiguri të reja për financat e BE-së. Për këtë arsye, shumë udhëheqës janë shprehur se miratimi i një buxheti, qoftë edhe një buxhet me probleme, është alternativë më e pranueshme se vazhdimi i paqartësive.

XS
SM
MD
LG