Lidhje

KSHH: Vendimi i gjykatës nuk të bind për drejtësi dhe paanshmëri


Një grup qytetarësh dhe Lëvizja “Mjaft” zhvilluan një protestë para gjykatës së Tiranës

Organizatat joqeveritare dhe qarqet politike po vazhdojnë reagimet lidhur me vendimin e gjykatës së Tiranës, e cila shpalli të pafajshëm të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, të akuzuar për vrasjet në demonstratën e 21 Janarit 2011. Një grup qytetarësh të thirrur nga Lëvizja “Mjaft” zhvilluan një protestë para gjykatës së kryeqytetit, duke shprehur zemërimin e tyre ndaj vendimit që liroi si të pafajshëm dy drejtuesit e Gardës së Republikës, edhe pse gjatë atij tubimi u vranë 4 qytetarë. Përfaqësuesi i lëvizjes “Mjaft”, Aldo Merkoçi, thotë se “kjo është një protestë qytetare, jopolitike ndaj vendimit të gjykatës, që i shpalli të pafajshëm vrasësit e protestuesve të pafajshëm”.

Ndërsa Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi një deklaratë ku shpreh shqetësim ndaj vendimit të gjykatës sepse, siç theksohet aty, ai nuk të bind për drejtësi dhe paanshmëri.

"Përkundrazi, thotë KSHH, vendimi rrit edhe më tej mosbesimin e qytetarëve ndaj organeve të drejtësisë”. Sipas tij, “vendimi është i kritikueshëm dhe nxit më tepër dyshime në drejtësinë e tij edhe për faktin se kjo çështje kaq të rëndësishme, që ka tronditur opinionin qytetar, vendimi u shpall i paarsyetuar, gjë që bie ndesh me pikën 1 të nenit 142 të Kushtetutës, ku sanksionohet se vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara”.

Kjo organizatë e të drejtave njerëzore theksoi në deklaratë edhe presionet që iu bënë prokurorisë me mosarrestimin e shpejtë të gardistëve, pengesat në mbledhjen e provave në vendngjarje, ngritja e një komisioni hetimor parlamentar, si edhe ekspertimin shkencor të FBI-së.

Por kryeministri Sali Berisha deklaroi në një takim politik gjatë fundjavës se 21 janari ishte një grusht shteti, se opozita u përpoq të merrte pushtetin me dhunë, dhe se tani po priste argumentat e gjykatave. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se gjyqi për 21 janarin nuk ka filluar akoma dhe se drejtësia do ta thotë fjalën e saj me hetime të tjera në një kohë tjetër.

Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të akuzuar për vrasjen me armë zjarri të tre prej katër protestuesve gjatë protestave të opozitës në 21 Janar të vitit 2011. Prokuroria kërkoi 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet për Agim Llupon.
XS
SM
MD
LG