Lidhje

Egjipti, dy vjet pas përmbysjes së Mubarakut


anniversary
anniversary

Ndjenjat e egjiptianëve janë të përziera rreth ndryshimeve në vend

Protestuesit egjiptianë të zhgënjyer me qeverinë e presidentit Mohamed Morsi u përleshën me policinë në Kajro të hënën, gjatë protestave që shënuan përvjetorin e dytë të dorëheqjes së ish presidentit Hosni Mubarak.

Policia përdori pompa uji dhe të gazit lotsjellës për të shpërndarë demonstruesitqë hidhnin gurë jashtë pallatit presidencial.

Disa parulla bënin thirrje për revolucion, ndërsa të tjerët thërrisnin poshtë Vëllazëria Myslimane.

Gjatë dy viteve të fundit, në Egjipt kanë ndodhur aq shumë ndryshime saqë ndonjëherë është e vështirë të kujtosh se për një kohë të gjatë gjendja ishte pothuajse e pandryshuar. Regjimi 30 vjeçar i Hosni Mubarakut, ishte një peshë që shumë vetëve u dukej thuajse e pamundur për t’u hequr.

Udhëheqësit e moshuar të rajonit ishin të njëjtët për dekada me radhë. Para disa ditësh një episod i vogël solli në kujtesë të kaluarën. Në një konferencë në Kajro, udhëheqësi palestinez Mahmoud Abbas, duke iu referuar presidentit egjiptian Mohamed Morsi, pa dashje filloi të thoshte “Hosni”, para se ta korrigjonte me nxitim gabimin.

Një gjendje e tillë e pandryshuar, e bëri kryengritjen 18 ditëshe para dy vjetësh edhe më të pazakontë. Dhe kur zoti Mubarak dha dorëheqjen më 11 shkurt 2011, protestuesit në sheshin Tahrir dhe në gjithë vendin u përfshinë nga entuziazmi për të ardhmen.

Por sot, shpresa e premtimeve është zhdukur për disa. Ja si e shpreh zhgënjimin kjo vajzë në sheshin Tahrir.

“Mendoj se asgjë nuk ka ndryshuar. Iku Mubaraku, erdhi Morsi. Ai nuk po bën asgjë për popullin e Egjiptit”.

Tahriri mbetet qendra e protestave, por tani pankartat denoncojnë zotin Morsi dhe Vëllazërinë Myslimane nga ai vjen. Ata protestojnë ndaj gjendjes së mjeruar ekonomike, udhëheqjes që e akuzojnë për interesa vetjake dhe një dështimi të përgjithshëm për të realizuar idealet e revolucionit.

Eksperti i shkencave politike në Universitetin Amerikan të Kajros, Said Sadek beson se keqësimi i gjendjes do të vazhdojë. Por ai i vë ngjarjet në kontekst historik.

“Duhet të kemi parasysh se pas çdo revolucioni, qeveria dobësohet, ekonomia dobësohet, siguria dobësohet dhe presidenti është i dobët”.

Duket se disa egjiptianëve ulur në një kafene në sheshin Tahrir nuk u mungon durimi. Qetësia e orëve të kaluara duke pirë kafe dhe tymosur, është në kontrast me trazirat që pasqyrohen në media.

Ndërsa tendat e protestuesve janë vetëm disa metra larg, Mohamed Yasso, vlerëson të kaluarën dhe të ardhmen.

Sipas tij Mubaraku pati sukseset e tij si ushtarak, megjithëse ai e fajëson për rënien e ekonomisë. Ai thotë se dëshira e ish-presidentit për të përgatitur të birin, si pasuesin e tij, e mbushi kupën dhe revolucioni u bë i pashmangshëm.

Përsa u takon problemeve aktuale, Yasso këshillon se duhet durim dhe punë, si nga publiku edhe nga udhëheqja. Qeveria, thotë ai, duhet të dijë si ta përdorë energjinë e të rinjve.

Të rinjtë kanë nevojë për strehim dhe punë, ata kanë nevojë për shpresë për arsim, kujdes shëndetësor dhe martesë. Të rinjtë duhet ta ndjejnë se ka shpresë, thotë ai.
Për shumë të rinj, shpresa e para dy vjetëve që solli revolucioni po vihet sot në provë.
XS
SM
MD
LG