Lidhje

Gjeniu 16 vjeçar krijon test për kancerin e pankreasit


Jack Andraka krijoi një analizë të thjeshtë që mund të zbulojë kancerin pankreatik në fazën e hershme të zhvillimit

Kanceri pankreatik është një nga format më vdekjeprurëse të kancerit. Vitin e kaluar më shumë se 250 mijë njerëz në mbarë botën humbën jetën nga kjo sëmundje dhe kjo shifër është në rritje. Por kohët e fundit, një nxënës 16-vjeçar në Merilend krijoi një analizë të thjeshtë që mund të zbulojë kancerin pankreatik në fazën e hershme të zhvillimit - një përparim që premton diagnozë dhe trajtim më të efektshëm. Shkencëtari i ri i talentuar, i cili ishte i ftuar nga zonja e parë Michelle Obama në fjalimin mbi gjendjen e vendit të Presidentit, po e nis karrierën e tij në mënyrë shumë premtuese.

Jack Andraka fitoi çmimin e parë në Panairin Ndërkombëtar të Shkencës dhe Inxhinierisë “Intel”, konkursi më i madh në botë për shkencën midis shkollave të mesme, i zhvilluar vitin e kaluar në Pitsburg, të Pensilvanisë.

Gëzimi i tij është i kuptueshëm. 16-vjeçari, banor i Merilendit, është personi më i ri në moshë që fiton çmimin prej 75 mijë dollarësh, duke mundur më shumë se 1 mijë e 500 studentë nga 70 vende.

Fitorja e Jack-ut vjen pas një interesimi të përhershëm ndaj shkencës, që prindërit e tij e kanë inkurajuar dhe për të cilin frymëzohej nga vëllai i tij, fitues i Panairit Intel të vitit 2010. Jack ndjek shkollën e mesme Glen Burnie.

Ai fitoi konkursin vitin e kaluar për zhvillimin e një analize të thjeshtë dhe të lirë që zbulon kancerin pankreatik në fazë të hershme, diçka për të cilën i lindi interesi pas humbjes prej sëmundjes të një miku të ngushtë të familjes.

"U futa në internet dhe zbulova se 85 për qind e rasteve të kancerit pankreatik diagnostikohen me vonesë, kur i sëmuri ka më pak se 2 për qind mundësi për të mbijetuar dhe mendova: “Kjo nuk është e drejtë. Duhet të jemi në gjendje të bëjmë diçka për këtë."

Jack Andraka vendosi të vepronte. Ai përdori sërish internetin dhe mësoi se njerëzit me kancer të pankreasit kanë në gjakun e tyre nivele të larta të një proteine të quajtur mesothelin.

Duke përdorur një laborator të Universitetit Johns Hopkins në Baltimorë, ai zhvilloi një sensor të thjeshtë letre që mund të zbulojë përmbajtjen e mesothelinës në një pikë të vetme të gjaku apo urine, duke sinjalizuar kështu praninë e kancerit pankreatik më herët se sa ishte e mundur me analizat e mëparshme.

Analiza e Jack-ut është 90 për qind i saktë.

"Ky sensor është 400 herë më i ndjeshëm, 168 herë më i shpejtë dhe më shumë se 26 mijë herë më pak i shtrenjtë. Ai kushton tre cent për provë dhe duhen vetëm pesë minuta për ta kryer."

Dr. Anirban Maitra i Universitetit Johns Hopkins ishte i vetmi nga 200 studiuesit që iu përgjigjën pozitivisht e-mailit të dërguar nga Jack-u për të përshkruar projektin e tij.

"Më duhet ta pranoj se fillimisht u habita shumë që ishte një 15-vjeçar që kishte shkruar atë mesazh. Doja ta takoja këtë të ri padyshim të talentuar dhe të shihja se për çfarë donte të bisedonte, prandaj e ftova për një intervistë. Ai ishte shumë mbresëlënës."

Në vitin 2011, Dr Maitra i dha Jackut një vend në laboratorin e tij, ku ai punoi për shtatë muaj, duke përfunduar projektin e tij të vlerësuar me çmimin prestigjoz.

Ai ka marrë të drejtën e autorit për sensorin e kancerit pankreatik dhe është duke punuar për ta zhvilluar në një analizë të thjeshtë laboratorike për t’u përdorur në masë.

Jack flet në konferenca të teknologjisë nëpër botë, si diskutimet e njohura TED. Ai u ftua nga ish-presidenti Bill Klinton për të marrë pjesë në takimin e vitit të kaluar të Iniciativës Globale Klinton.

Dr. Maitra, që i dha atij mundësinë të punojë në laborator, nuk është i befasuar nga fama që ka arritur ky i ri.

"Jack Andraka është një emër që do ta dëgjoni në 10 deri 20 vitet e ardhshme. Nëse ai arriti këtë gjë në moshën 15 vjeçare, atëherë çfarë mund të bëjë ai kur të jetë 25 apo 35 vjeç? "

Por mund të pyesim gjithashtu se sa jetë do të mund të shpëtohen me analizën e kancerit të pankreasit të ktijuar nga ky nxënës i shkollës së mesme.

XS
SM
MD
LG