Lidhje

Ngërçi politik në Maqedoni


Ambasadorët e vendeve perëndimore u kërkuan të gjitha palëve që të forcojnë dialogun politik dhe të punojnë për të mirën e qytetarëve

Zyrtarë perëndimorë po mundohen të ndihmojnë zgjidhjen e ngërçit politik në Maqedoni që po përkeqëson gjendjen në vend që prej incidenteve të dhunshme të njëzet e katër dhjetorit. Ambasadorët e vendeve perëndimore u kërkojnë të gjitha palëve që të forcojnë dialogun politik dhe të punojnë për të mirën e qytetarëve; Ndërkohë opozita maqedonase është e vendosur t’i bojkotojë zgjedhjet vendore të 24 marsit, nëse bashkë me to nuk mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Përpjekjet e diplomatëve dhe zyrtarëve perëndimorë për t’i dhënë fund ngërçit politik në Maqedoni janë shtuar këto ditë, ndërsa ende nuk ka ndonjë rezultat pozitiv dhe përkundrazi gjendja duket më e tendosur; opozita maqedonase e udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate ka vendosur t’i bojkotojë zgjedhjet vendore të 24 marsit.

Takimet në Shkup të Komisionet për Zgjerim të Komisionit Evropian Stefano Sanino me autoritetet dhe drejtuesit politik kaluan në heshtje pa bërë publike asnjë gjë nga asnjëra prej palëve.

Ndërkohë, shefat e misioneve të Bashkimit Evropian, zyrës së NATO-s, OSBE-së dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që ta forcojnë dialogun politik, që të përqendrohen tek përparësitë strategjike të vendit dhe interesat e qytetarëve. Ambasadorët shkruajnë në një komunikatë të përbashkët se po e ndjekin me shqetësim gjendjen politike në Maqedoni dhe sugjerojnë që të ndërmirren të gjitha masat e nevojshme për kapërcimin e tensioneve politike që dolën si rezultat i ngjarjeve të 24 dhjetorit në Parlament.

Në Shkup po qëndron deputeti i Parlamentit Evropian, Richard Howitt, raportues për Maqedoninë dhe përkrahës i këtij vendi për integrimet euroatlantike. Ai ka ardhur me një delegacion të nënkomitetit për të drejtat e njeriut në Parlamentin Evropian. Zoti Howitt po takohet me autoritetet shtetërore dhe drejtusit politik në përpjekje të zgjidhjes së krizës politike.

Ai tha se gjendja është shumë e vështirë për Maqedoninë dhe për të ardhmen e saj në Evropë. Por, zoti Howitt do të flasë më shumë të premten në një konferencë shtypi pasi të ketë takuar të gjithë drejtuesit politikë.

Ndërkohë, partitë në pushtet janë shprehur të vendosura se nuk mbështesin zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim thotë se opozita nuk duhet të bëjë gabim të bojkotojë zgjedhjet vendore se kjo është në dëm të vendit dhe të procesve euro-integruese.

Përshkallëzimet midis pushtetit dhe opozitës maqedonase u thelluan pas 24 dhjetorit kur shërbimi i sigurimit të Parlamentit i dëboi me forcë deputetët opozitarë pasi këta e bllokuan seancën mbi buxhetin e vendit.

Qeveria shprehet e shqetësuar për shkak të sjelljes së opozitës maqedonase e cila, sipas ministrit të jashtëm Nikolla Popovski, po rrezikon integrimin e vendit në BE.

XS
SM
MD
LG