Lidhje

PS, Çardaku kriminel


Në Shqipëri partia socialiste reagoi sot ashpër pas publikimit të faktit se eksperti i institutit të policisë shkencore Ndoc Çardaku akuzohet të ketë manipuluar provat në procesin për vrasjet manifestuesve të opozitës gjatë protestave të dhunshme të 21 janarit të vitit 2011.

Drejtuesi i partisë socialiste për Tiranën Saimir Tahiri, tha sot se sipas tij eksperti Cardaku “është një kriminel që ka guxuar të manipulojë provat njëlloj si ata të tjerët që urdhëruan dhe ekzekutuan vrasjen e manifestuesve” më 21 janar dhe se për këtë ai duhet të arrestohet.

Ishte prokuroria e cila dje në apelimin e vendimit të Gjykatës për pafajësinë e dy drejtuesve të Gardës shkruante ndër të tjera për “veprimin e qëllimshëm” të Cardakut. Sipas saj ai “është filmuar, dhe video është paraqitur në gjykatë, ndërsa shtyn me gisht një ashkël për në vrimën e hyrjes në këmishën e të ndjerit dhe e ngjesh aty dhe më vonë, kërkon një vegël për ta hequr atë e për ta administruar si prove”.

Ekspertiza e Cardakut, për plumbi që goditi për vdekje manifestuesin Ziver Veizi, ishte ajo që u mor për bazë nga gjykata në vendimin e saj, duke lënë mënjane vlerësimet e një eksperti tjetër apo dhe ato të FBI-së amerikane të cilat hidhnin poshte hipotezën që plumbi të kishte bërë rikoshet.

Ndonëse faktet janë dhënë nga vetë prokuroria nuk ka ndonjë njoftim zyrtar që ajo të ketë nisur hetim ndaj ekspertit. Vetëm sot, pas zhurmës që provokoi publikimi I akuzës për manipulim provash, disa gazeta I referoheshin burimeve të prokurorisë sipas së cilave pritet që ndaj Cardakut të kërkohet ndjekje penale.

Nga ana e saj sot pasdite ministria e Brendshme hodhi poshtë akuzat ndaj ekspertit Çardaku duke folur për shpifje banale ndaj punës profesionale dhe tërësisht transparente të ekspertëve të thirrur nga vetë prokuroria, tha zëdhënësi Leonard Olli. Sipas tij partia socialiste po sulmon politikisht një proces që i përket drejtësisë, për ngjarje, për të cilat sipas tij, përgjegjësit kryesorë janë drejtuesit e partisë socialiste.
XS
SM
MD
LG