Lidhje

Këtë javë në Uashington


Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me vendet e Paqësorit dalin në qendër të vëmendjes këtë javë në Uashington, në përgatitje për vizitën e kryeministrit të Japonisë në Shtëpinë e Bardhë të premten e ardhshme.

Ndërkohë, këtu në Uashington, Kongresi është me pushime dhe kjo nënkupton se ende mbetet pezull konfirmimi i dy kandidaturave të Presidentit Obama, ish-Senatori Chuck Hagel si Sekretar i Mbrojtjes dhe këshilltari i anti-terrorizmin John Brennan si drejtor i CIA-s.

Prova e fundit bërthamore e Koresë së Veriut do të jetë një ndër temat e diskutimit mes Presidentit Barak Obama dhe Kryeministrit japonez Shinzo Abe.

“Veprimet e ndërmarra nga Korea e Veriut nuk mund të lejohen nga komuniteti ndërkombëtar dhe besoj që ka rëndësi thelbësore që Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të punojnë së bashku për të miratuar një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit që përfshin sanksione të reja”.

Javën e kaluar, Këshilli i Sigurimit dënoi provën bërthamore dhe filloi punën për ato që i cilësoi si “masa të duhura” në përgjigje të këtij veprimi. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun bisedoi me Sekretarin e Shtetit John Kerry, i cili tha se Korea e Veriut duhet të ndeshet me pasoja:

“Prova e kësaj jave ishte një akt i rëndë provokues që meriton një përgjigje të fortë, të shpejtë dhe të besueshme nga komuniteti ndërkombëtar”.

Përveç shqetësimeve të përbashkëta për ambicjet bërthamore të Koresë së Veriut, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia ndeshen edhe me problemet e rritjes së dobët ekonomike. Të dyja vendet regjistruan tkurrje ekonomike në fund të vitit të kaluar dhe shpresojnë se gjendja do të përmirësohet këtë vit.

Një kërcënim i vazhdueshëm për ekonominë amerikane janë shkurtimet automatike federale të buxhetit që pritet të hyjnë në fuqi më 1 mars. Nuk duket se ka shumë shpresa që të gjendet një zgjidhje deri atëherë. Ligjvënësit u larguan javën e kaluar nga Uashingtoni pa sinjalizuar ndonjë përparim në negociata.

Demokratët kërkojnë shkurtime në një numër programesh si dhe rritjen e disa taksave për të shmangur shkurtimet automatike. Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi:

“Demokratët mbështesin presidentin, që ka kërkuar një zgjidhje të balancuar për të hapur vende të reja pune, për të forcuar klasën e mesme, për të rritur ekonominë dhe për të shkurtuar në mënyrë të përgjegjshme deficitin”.

Republikanët hedhin poshtë çdo zgjidhje që përfshin rritje taksash. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner:

“Shkurtimet automatike do të zbatohen deri në momentin kur të bëhen reduktime dhe reforma që na udhëheqin drejt balancimit të buxhetit brenda një periudhe 10 vjeçare”.

Tani që Kongresi është me pushime, mbetet pezull konfirmimi i dy kandidaturave të Presidentit Obama, ish-Senatori Chuck Hagel si Sekretar i Mbrojtjes dhe këshilltari i anti-terrorizmin John Brennan si drejtor i CIA-s.
XS
SM
MD
LG