Lidhje

Vazhdojnë sot bisedimet Kosovë – Serbi


Sot dhe nesër në Bruksel kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, debatojnë mbi strukturat e mbështetura nga Beogradi në veriun e Kosovës.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, pritet të fillojnë sot në Bruksel takimin e radhës që vlerësohet se mund të jetë më i vështiri deri tash.

Takimi i ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, pritet të zgjasë dy ditë dhe temë kryesore e bisedimeve pritet të jetë çështja e strukturave të mbështetura nga Beogradi në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Para se të nisej për Bruksel, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se në këto bisedime do të paraqesë qëndrimin e Prishtinës për shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës në veri dhe shpërbërjen e strukturave të paligjshme të Serbisë në zonë.

Beogradi ka ritheksuar synimin për një shkallë të autonomisë për komunat me shumicë serbe në veri. Kryeministri serb Ivica Dacic ka shprehur gatishmërinë që të diskutohet çështja e strukturave paralele por jo shuarja e tyre, ndërsa presidenti serb Tomislav Nikoliç ka deklaruar se strukturat aktuale mund të shuhen për të krijuar hapësirë që të ngriten strukturat e reja që do të drejtoheshin nga serbet në veri.

Përfaqësuesit e serbëve në veri thonë ndërkaq se nuk do të lejojnë shuarjen e institucioneve serbe në zonë dhe kanë përsëritur kërkesën për anulimin marrëveshjeve të arritura në bisedimet Kosovë - Serbi, përderisa të mos flitet për çështjen e statusit të Kosovës, që sipas tyre mbetet ende i pazgjidhur.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Deri tash ajo është njohur nga afro 100 vende të botës.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është pajtuar të angazhohet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, meqë kjo është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Diplomatët i kanë kërkuar Serbisë që të shpërbëjë strukturat e saj të sigurisë në veriun e Kosovës si kusht që të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Prishtina zyrtare e cila synon integrimet evropiane, shpreson që në fund të marrë datën për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por edhe të zgjidhe situatën në veriun e Kosovës.

Analistët thonë se bisedimet që vazhdojnë sot do të jenë më konkrete sesa deri tash dhe brenda pak javësh mund të krijohet kuadri i zgjidhjes së situatës në veri, diku ndërmjet planit të Marrti Ahtisaarit në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës dhe platformës së Beogradit, që synon autonomi për serbët e veriut.
XS
SM
MD
LG