Lidhje

Integrimi europian si argument në fushatë


Partitë kanë nisur një fushatë të parakohshme me tubime dhe takime me votuesit nëpër të gjithë vendin, si edhe me ture takimesh ndërkombëtare.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në po zënë një vend përherë e më të rëndësishëm në veprimtaritë elektorale të partive kryesore, që kanë nisur një fushatë të parakohshme me tubime dhe takime me votuesit nëpër të gjithë vendin, si edhe me ture takimesh ndërkombëtare.

PD dhe PS po e fajësojnë njëra tjetrën prej disa muajsh si shkaktare të vonesave gjatë ecjes së Shqipërisë drejt integrimit europian. Tashmë kjo temë pritet të zërë një vend të rëndësishëm edhe në fjalimet gjatë fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit, kur secila palë po përpiqet të bindë votuesit se partia rivale është bllokuesja e reformave europiane dhe se votat i meriton partia tjetër.

Kryetari i PD-së dhe kryeministri Sali Berisha, thotë se drejtuesit e opozitës bllokuan rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, duke mos votuar ligje të rëndësishme në parlament, dhe për këto qëndrime opozita do të ndëshkohet përsëri nga zgjedhësit shqiptarë. Ai i bëri këto deklarata në një tubim në qytetin studenti me rastin e 22 vjetorit të rrëzimit të monumentit të diktatorit komunist Enver Hoxha.

“Shqiptarët në 23 qershor do të votojnë për integrimin e tyre në Europë, do të votojnë për liritë dhe të drejtat e tyre, do të votojnë për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë europiane. Ne jemi ndryshimi. Ne do të fitojmë. Përpara!” - tha ai në tubim.

Ndërsa opozita mendon se bllokimin e rrugës europiane të Shqipërisë e ka shkaktuar qeveria, duke mos luftuar korrupsionin, dhe duke shkelur të drejtat njerëzore dhe ato demokratike të qytetarëve. Kryetari i PS, Edi Rama, bëri komente të ngajshme pas një takimi me drejtues të grupit socialist në Parlamentin Europian:

“Shqiptarët mund të vazhdojnë në rrugën e integrimit me një qeveri të dalë nga vota e lirë dhe sigurisht me një qeveri e cila të ndryshojë drejtimin e vendit. Është përditë e më e qartë për të gjithë se pse Shqipëria ka ngecur, se kujt i takon përgjegjësia për ngecjen e saj dhe se Shqipëria duhet të rifillojë rrugën e saj drejt perspektivës europiane përmes votës së lirë dhe përmes zgjedhjeve që të ndajnë këtë të shkuar që vazhdon me të ardhmen që është prapa derës”.

Vendi është përfshirë nga një fushatë e hershme kur secila palë po flet përherë e më shumë për ekonominë, shëndetësinë dhe për gabimet e rivlave, ndërkohë që po mbledhin aleatë edhe kandidatë surprizë për listat e tyre të deputetëve, ndonëse zgjedhjet janë të sistemit proporcional, dhe deputetët vendosen në selitë qendrore të partive.
XS
SM
MD
LG