Lidhje

Retorikë nacionaliste në Shqipëri e Kosovë?


Disa thirrje të dëgjuara muajt e fundit në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat mjaft vëzhgues i quajnë retorikë nacionaliste, kanë hapur debate dhe kanë zgjuar reagime të forta nga Shtetet e Bashkuara. Dy ish-zyrtarë amerikanë, ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker dhe ish-analisti i CIA-s David Kanin komentojnë lidhur me domethënien e këtyre deklaratave në kontekstin e zhvillimeve politike në Ballkan:

Komentet e fundit me nuanca nacionaliste si në Shqipëri dhe Kosovë kanë bërë bujë të madhe në shtyp dhe nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së autoriteteve amerikane. David Kanin, ish-zyrtar i CIA-s dhe aktualisht pedagog në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, thotë se komente të tilla janë një temë e njohur në Ballkan. Ai e shikon retorikën e kryeministrit Berisha si një manovër politike për të forcuar pozitat para zgjedhjeve:

"Mendoj se ai thjesht kërkon të ruajë pushtetin, prandaj nuk besoj se ka ndonjë përparësi thelbësore që e motivoi në këto deklarata. Përparësia është ruajtja e pushtetit,” shprehet ish-analisti i CIA-s.

Objektivi i komenteve mund të jetë afat-shkurtër, shprehet zoti Kanin, por tronditja do të vazhdojë të ndjehet edhe pas zgjedhjeve:

“Për fat të keq fjalët dhe emocionet mbeten. Ai mund ta ndryshojë mesazhin, politikanët bëjnë gjëra të tilla, por mesazhi për popullatën jo-shqiptare në rajon do të mbetet. Ata do të tregohen të vëmendshëm sepse e kanë të qartë që i njëjti mesazh do të ngrejë përsëri krye. Sepse nëse kryeministri Berisha mendon se kjo është mënyra për të siguruar vota tani, ndoshta dikush tjetër do të mendojë të njëjtën gjë më vonë,” paralajmëron analisti David Kanin.

Ndjenja të tilla vërehen në të gjithë Ballkanin, shprehet analisti. Por ai shton se nevojitet një analizë gjakftohtë në ballafaqimin me realitetin brenda territoreve shqiptare dhe jashtë tyre:

“Nuk është aspak e papritur që të shprehet kjo ndjenjë. Shqiptarët nuk janë unikë në këtë sjellje. Por ngrihet pyetja: A është vërtetë e njëjta popullatë. Ka dallime linguistike, ka dallime ekonomike. Njerëzit jetojnë ndryshe në pjesë të ndryshme të Shqipërisë krahasuar me njerëzit në Kosovë apo Maqedoni. Ka dallime sociale, pasi jetojnë në rajone të ndryshme. Dhe jetojnë në shtete të ndryshme, pra dallojnë edhe për sa i përket jetës politike. Si rezultat ka dallime në mesin e shqiptarëve dhe dallime mes shqiptarëve dhe të tjerëve. Pra nuk është një univers i njëtrajtshëm shqiptar që mund të bashkohet automatikisht. Do të ketë probleme konkurrence me vendet e tjera. Sa shtete do të ketë, si do të hartohen kufijtë. Nëse ndryshohen kufijtë, si do të ndryshohen – me marrëveshje apo me konflikt?” pyet zoti Kanin.

Zoti Kanin pohon se nuk është absurde që të ngrihen për diskutim tema të tilla, por ai shton se politikanët që i hapin këto tema duhet të jenë të përgatitur për reagimet dhe kritikat që vijnë pas. Dhe reagimet nuk kanë munguar. Është plotësisht e pritshme që Shtetet e Bashkuara të mbajnë qëndrim ndaj këtyre deklaratave, thotë ish-ambasadori amerikan në Nato, Kurt Volker:

“Kjo për faktin se Shtetet e Bashkuara luajtën një rol aq të rëndësishëm për të sjellë qëndrueshmëri në Ballkan, për të ndalur konfliktin në Kosovë, në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO; të gjitha këto përfitime nuk duhen vënë në rrezik me retorika të tilla,” thotë ish-ambasadori amerikan në NATO.

Zoti Volker e pranon se integrimi evropian nuk ka ecur me ritmin e duhur, duke shkaktuar një padurim dhe shpesh edhe irritim të natyrshëm në vendet ballkanike që aspirojnë antarësimin. Duke u ndalur tek komentet e Kryeministrit Thaçi, pas ngecjes së liberalizimit të vizave me BE-në, ai paralajmëron që probleme të tilla të mos përdoren si shkas për t’i kthyer shpinën Perëndimit.

Kosova, shprehet ai, nuk ka alternativë tjetër përveç antarësimit në BE. Ish-Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Kurt Volker u bëri thirrje shqiptarëve në Ballkan t’u përmbahen përparësive immediate që i shërbejnë të ardhmes afat-gjatë:

“Marrëdhëniet më të ngushta, hapja e kufijve, udhëtimi i lirë, heqja e pengesave për punësim, të gjitha këto janë të mirëpritura. Ajo që është shqetësuese është kur diskutohet ideja që, në mungesë të integrimit në BE, të ndryshohen kufijtë për të krijuar një Shqipëri të madhe”. “Në Ballkan kemi shtete shumë delikate dhe loja me kufijtë e këtyre vendeve në një moment të tillë, kur nuk ka institucione të forta politike, nuk ka një kulturë të mirëfilltë respekti të ndërsjellë dhe pajtimi ndëretnik, situata mund të acarohet nga retorika të tilla", shprehet zoti Volker.

Deklaratat dhe reagimet pritet të fashiten pas zgjedhjeve, sipas parashikimit të analistëve, por kjo temë nuk duket se do të zhduket nga debati publik në një të ardhme të afërt. Zoti Kanin thotë se asgjë nuk është zgjidhur në territoret që shtrihen në jug të lumit Sava. Ndalja e konflikteve të viteve ’90 mund të ketë mbyllur një kapitull të përgjakshëm, por nuk ka eliminuar pikëpyetjet dhe pretendimet e popujve ballkanikë mbi hartën politike të gadishullit.
XS
SM
MD
LG