Lidhje

Dokumentarët kandidatë për Oscar


Filmat dokumentarë janë një gjini jo shumë popullore e filmit. Ata nuk kanë efekte speciale dhe në ta nuk ineterpretojnë yje të kinemasë. Protagonistët janë zakonisht njerëz të thjeshtë që përballen me rrethana jo të zakonta. Këta filma nuk shfaqen në kinematë e mëdha dhe nuk janë konkurrentë përsa i përket të ardhurave nga shitja e biletava. Por përmes temave sociale e politike që lëvrojnë, filmat dokumentarë mund të ndryshojnë mendjet dhe zemrat e shikuesve. Ndjekim një përmbledhje të filmave dokumentarë që konkurrojnë këtë vit për çmimet Oscar.

Dokumentari i regjisorit Dick Kirby “Lufta e padukshme” flet për një aspekt të rëndë: përdhunimet në ushtrinë amerikane.

Filmi ngre pretendimin se që nga vit 1991 rreth gjysë milioni gra e burra në ushtrinë amerikane janë dhunuar seksualisht nga eprorët e tyre, dhe ushtria amerikane nuk ka bërë asgjë për të ndëshkuar fajtorët.

“Sa më shumë intervistonim, aq më shumë ndjenim se ky ishte një film që duhet t’a bënim”, thotë Dick Kirby, regjisor i filmit.

Filmi “Portierët” është ndër të preferuarit e kritikës. Regjisori izraelit Dror Morej intervisotoi 6 ish drejtues të Shin Bet, agjencia e zbulimit të brendshëm në Izrael, përgjegjëse për grubullimin e të dhënave në bregun e Pushtuar Perëndimor.

Ata thonë se lufta ndaj terroristëve palestinezë nënkuptonte një kosto morale e njerëzore. Filmi paraqet ndarjet e brendshme në Izrael dhe ofron një parashikim të zymtë për të ardhmen e vendit nëse nuk bëhet paqe me armiqtë.

Filmi "Five Broken Cameras" nga Ermad Burnat, një fshatar palestinez, dhe regjisori izraelit Guy Davidi, është videoditari i jetës së Emadit nën pushtimin izraelit të bregut Perëndimor.

Filmi tregon se si fshatarët palestinezë luftojnë kundër kufizmeve të sigurisë të vendosura nga izraelitët që i kanë ndarë ata nga tokat e tyre.

“Si t’i mbijetosh një epidemie” është kronika e viteve të para të epidemisë së Sidës dhe se si një grusht aktivistësh frenuan valën vdekjeprurëse të saj.

“Çdo gjë që lidhet me mënyrën se si praktikohet sot mjekësia dhe kujdesi shëndetësor është rezultat i aktivizmit në luftën kundër sidës. Ndaj doja të tregoja një histori fitoresh dhe arritjesh”, thotë David France, realizues i filmit.

Këto katër kandidatura në kategorinë e filmit dokumentar rrëfejnë histori të fuqishme me pamje novatore. Por asnjë prej tyre nuk ka rrëmbyer zemrat e votuesëve të Akademisë së çmimeve Oscar sa filmi “Searching for sugarman”.

Filmi i Malik Bendjelloul është për Rodrigezin, një artist i muzikës rok i viteve 70 nga Detroiti i cili nuk e kishte idenë që ishte yll i muzikës në Afrikën e Jugut.

Regjisorja fituese e çmimeve Emmy Nina Seave thotë se Akademia e çmimeve Oscar duket se është e prirur për dokumentarë me tema tërheqëse dhe argëtuese dhe ky film e plotëson këtë pritshmëri.

Ndonëse çmimet Oscar mund të jenë një konkurrim shumë popullor, të pesë dokumentarët janë përzgjedhur kryesisht për meritë të tyre, dhe jo nga fitimet që kanë siguruar nga shitjet e biletave.

XS
SM
MD
LG