Lidhje

Daniel Day-Lewis, kandidat për Oscar për rolin e Lincolnit


Përveç rolit në Lincolnit, që e meriton një Oscar, kritikët janë të mrekulluar nga interpretimi i aktorit Day-Lewis në të gjitha rolet e tij

Çfarë mund t’i japësh një aktori që ka arritur pothuajse gjithçka? Aktori britanik Daniel Day-Lewis është një nga kandidaturat e preferuara për çmimin Oscar si aktori më i mirë protagonist, për interpretimin e Presidentit të 16-të të Shteteve të Bashkuara në filmin e regjisorit Steven Spielberg, “Lincoln”. Ai ka fituar dy herë çmimin Oscar. Day-Lewis nuk është nga ata që pushtohet nga vetëkënaqësia. Nevoja e tij për t’u shprehur dhe përgatitja e tij e detajuar për rolet e tij, e bëjnë një nga aktorët më të mëdhenj të kohës.

“Koncepti i parë i njohur i Euklidit është se të gjitha ato që janë të barabarta me diçka, janë të barabarta me njëra tjetrën. Është një rregull i matematikës. Është e vërtetë sepse funksionon”.

Me këtë deklaratë, Abraham Lincoln, i interpretuar nga Daniel Day-Lewis në filmin epik të Steven Spielberg, e përmbledh absurditetin e skllavërisë.

Përveç rolit në rolin e Lincolnit, që e meriton një Oscar, kritikët janë të mrekulluar nga interpretimi i aktorit Day-Lewis në të gjitha rolet e tij.

“Lehtësia e papërballueshme e qenies”, një përshtatje e novelës së Milan Kunderës, ishte roli i parë kryesor i Day-Lewis. Ai interpretonte mjekun çek Tomas gjatë Pranverës së Pragës në vitin 1968. Në një nga skenat, Tomas e krahason Mbretin Edip me plagët e komunizmit që ka pllakosur vendin e tij.

“Ai nuk e përballonte dot pamjen e asaj që kishte bërë. Ai nxorri sytë e vet dhe iku”.

Day-Lewis solli një portretizim mjeshtëror, deri tek theksi. Për t’u përgatitur, ai mësoi gjuhën çeke dhe gjatë gjatë tetë muajve të xhirimit, jetonte jetën e personazhit.

Gjatë xhirimeve të filmit “My left foot”, “Këmba ime e majtë” në vitin 1989, Day-Lewis që interpretonte paraplegjikun Christy Brown, nuk pranoi të ngrihej nga karrigia me rrota dhe kërkonte që punonjësit e setit, ta mbanin në krahë kudo. Por puna e palodhur u shpërblye. Ai fitoi Oscarin e tij të parë.

Ai u kandidua për herë të dytë për çmimin Oscar për rolin e tij në filmin “Në emër të atit...”, në vitin 1993.

Ishte roli i një hajduti ordiner, i implikuar gabimisht në sulmin me bombë të IRA-s në një pub në Londër.

Në vitin 2002, pas një mungese pesëvjeçare, Day-Lewis u kthye me interpretimin e vlerësuar lart si Bill kasapi në Filmin “Bandat e Nju Jorkut” të Martin Scorseses.

Oscarin e dytë ai e fitoi në vitin 2008 për interpretimin e mizantropit Daniel Plainview në dramën “There will be Blood”.

Day-Lewis e studioi dhe u përgatit për rolin për dy vjet dhe në atë kohë ishte e paimagjinueshme të mendohej se ai mund të realizonte një interpretim edhe më të arrirë.

Tani, pesë vjet më pas, fituesi i çmimit Oscar është përsëri në skenën ndërkombëtare për interpretimin e Presidentit të 16-të të Shteteve të Bashkuara.

Por Day-Lewis thotë se shpërblimi për të ishte të mishëronte një nga burrat më të mëdhenj të botës.

“Nuk kam dashur kurrë ndonjëherë më parë kaq shumë një njeri që nuk e kam takuar kurrë. Asnjëherë! Dhe besoj se kjo është e vetmja herë”.

Pavarësisht nga vlerësimet, për Daniel Day-Lewis, një nga aktorët e mëdhnj të kohës, shansi për të interpretuar personazhe të jashtëzakonshme, është gjëja më e rëndësishme.
XS
SM
MD
LG