Lidhje

Vrasja e komisar Lamajt, arrestohen dy të dyshuar


Kapen në Selanik të Greqisë Arben Frroku dhe Jakë Jaku. Me Frrokun kryekomisari kishte patur një konflikt të gjatë. Gjatë ditës u zhvilluan homazhet

Në Shqipëri policia njoftoi sonte se ishte bërë I mundur arrestimi I dy personave të dyshuara për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj, I cili u qëllua në një pritë pranë banesës së tij pasditen e së dielës vonë në kryeqytet. Personat e dyshuar janë Arben Frroku dhe Jakë Jaku. Me Frrokun oficeri i policisë Lamaj kishte patur konflikte të forta gjatë kohës kur Lamaj ishte në krye të komisariatit numër 6 në Tiranë. Të dy të dyshuarit janë arrestuar në Selanik të Greqisë, falë dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet greke. Në shtëpinë e Jakut policia ka gjetur disa armë si dhe lëndë narkotike, ndërsa kanë nisur menjeherë procedurat për ekstradimin e tyre në Shqipëri


Brenda gjashtë muajve të fundit, Lamaj është i treti oficer policie i cili vritet. Ngjarja e ndodhur mbrëmë në Tiranë, është edhe më e rëndë, pasi bëhet fjalë për një atentat të pastër e të paramenduar. Ai u qëllua pranë banesës së tij me breshëri kallashnikovi dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ende mbeten të paqarta arsyet e kësaj vrasjeje. Policia u mjaftua të njoftojë se kryekomisari 41 vjecar është qëlluar për shkak të detyrës dhe që mbrëmë vendosi një shumë prej 100 mijë dollarësh për këdo që do të jepte informacione mbi vrasësit.

Sot qindra kolegë e të afërm të oficerit të policisë bën homazhe, ku nuk munguan autoritetet më të larta shtetërore dhe politike. Vrasja ngre edhe një herë shqetësimin për situatën e rendit në vend, ku vecanërisht gjatë vitit 2012 frekuenca e krimeve të tilla është shtuar. Kryeministri Sali Berisha tha se ky akt barbar do të marrë të gjithë ndëshkimin e duhur ligjor:“Qeveria do të mobilizojë çdo burim, çdo mundësi që autorët e këtij akti të shëmtuar të përballen me drejtësinë dhe të gjithë rreptësinë e ligjit shqiptar. Edhe një herë shpreh mbështetjen e plotë të qeverisë për forcat e rendit publik. I garantoj qytetarët se krimi nuk do të mundet kurrë të mposht, vullnetin e tyre për të bërë ligjin në të katër anët e këtij vendi”.

Ndërsa për kryetarin socialist Edi Rama Policia është tradhëtuar nga shteti: “Është e treta viktimë e krimit, që e ka vënë përfund shtetin dhe është e treta dëshmi ulëritëse e domosdoshmërisë për të kthyer shtetin në krye të detyrës. Policia është e braktisur është e tradhtuar, policia po rrënohet dita ditës dhe përkushtimi dhe heroizmi i gjithë atyre shqiptarëve të ndershëm që me uniformën e policit bëjnë gjithçka munden për t’i shërbyer shtetit dhe për t’i shërbyer qytetarëve, është i pamjaftueshëm në rast se nuk mbështetet nga një qeveri dhe nga një shtet që është i vetëdijshëm për çka duhet të bëjë dhe që respekton Kushtetutën, ligjin, liritë dhe të drejtat e qytetarëve”.

Trupi i kryekomisarit Lamaj u përcoll në varrezat e dëshmorëve ashtu dhe dy kolegët e tij, Adem Tahiraj, kryekomisari i Shijakut i vrarë në muajin shtator dhe Musa Skuraj, shefi I krimeve në Burrel i qëlluar muajin e shkuar, gjatë një përleshje me armë më një grup trafikantësh.

XS
SM
MD
LG