Lidhje

Zgjedhjet në Itali, reagime në Spanjë dhe Greqi


Greqia dhe Spanja, dy vendet e Evropës, që përballen me një gjendje të rendë ekonomike, reaguan ndaj rezultatit të zgjedhjeve në Itali, duke shprehur shqetësim për ndikimin që ato m,und të kenë për pjesën tjetër të Evropës, veçanërisht në të ardhmen e afërt.

Në Spanjë zyrtarët shprehën mendime të ndryshme për sa i përket rezultatit të zgjedhjeve parlamentare në Itali.

Ministri i jashtëm Jose Manueol Garcia-Margalla tha se rezultati i zgjedhjeve ishte tepër shqetësues dhe se do të ndikonte në të gjithë eurozonën.

“Duket se pati një përgjigje nga elektorati në një kohë kur partitë tradicionale nuk duket se janë të afta të përmbushin nevojat e popullit. Por ajo që ne po shikojmë në Itali është një përfundim i nxituar, që nuk sjell përfitime as për Italinë dhe as për pjesën tjetër të Evropës”.

Rezultatet e zgjedhjeve në Itali nuk u pritën mirë nga tregjet evropiane të aksioneve, të pasuara edhe nga tregjet në pjesë të tjera të botës. Ekspertët e këtyre tregjeve thonë se zhvillimet politike në Itali do të kenë pasoja negative, të paktën për të ardhmen e afërt.

“Zgjedhjet italiane do të kenë një ndikim negativ, kryesisht në të ardhmen e afërt për shkak të mungesës së një qeveria të qëndrueshme. Skenari më i rëndë për tregjet është se nuk doli një fitues i qartë dhe tani ka spekullime se partia që do të arrijë të vihet në pozita udhëheqëse, do të vazhdojë politikat e mëparshme, dhe bëhet fjalë për projektin e zotit Bersani, i cili kishte negocuar me Evropën dhe kishte krijuar një farë qetësie”.

Ndërkohë njerëzit nëpër rrugët e Athinës vunë në pikpyetje zgjedhjet e elektoratit italian, ndërsa gazetat greke botuan artikuj, që i përshkruanin zgjedhjet në Itali si një votë kundër masave të ashpra ekonomike.

Pensionisti grek, Manuel Zouzoulis thotë se italianët ndjejnë të njëjtin ankth dhe zemërim si edhe grekët rreth gjendjes së ekonomisë së tyre dhe duan të dënojnë politikanët.

“Është fatkeqësi. Ç’të them. Është faji i politikanëve. Tani nuk kemi shpresë tjetër veçse Zoti na ndihmoftë”.

Afaristi Argyris Mitsipakis thotë se rezultati i zgjedhjeve me mbështetjen e elektoratit të ndarë mes 3 kandidatëve, Silvio Berlusconi, Pier Luigi Bersani dhe Beppe Grillo, tregon se italianët janë më të zhgënjyer me politikanët se sa grekët.

“Kur ti voton për njerëz si Berlusconi dhe një komedian, çfarë përshtypje krijon kjo? Duket se kjo është bërë traditë për italianët”.

Gjetkë banorë të Athinës shprehën besim se italianët do t’i kapërcejnë problemet politike, që kanë xjerrë në pah rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Shtypi grek shkruan se zgjedhjet në Itali kanë tronditur kontinentin evropian. Mes kryeartikujve: “GrilloSconi--Ngecja italiane trondit Evropën, duke iu referuar kandidatëve Silvio Berlusconi dhe Beppe Grillo.

Të tjerë e interpretuan rezultatin si një kundërshtim të masave të ashpra ekonomike të Italisë. E përditshmja “Greqia Nesër” shkruante “Rroftë Italia, një shuplakë në fytyrë të Merkelit”, reference për kancelaren gjermane dhe masat e ashpra ekonomike, që u kërkuan me insistim nga Gjermania dhe vende të tjera evropiane në këmbim të paketave të ndihmave për të lehtësuar krizën e borxheve.
XS
SM
MD
LG