Lidhje

Shqipëri: Dhuna në familje


Dhuna brenda familjeve shqiptare vazhdoi të rritet gjatë vitit të fundit. Bashkë me vrasjen e 27 grave dhe vajzave, gjatë 2012 policia regjistroi 2 mijë e 526 raste të dhunës në familje, të cilat janë 345 raste të reja më shumë në krahasim me një vit më parë. Sipas të dhënave të policisë, brenda 5 viteve të fundit, numri i denoncimeve të grave për dhunë është trefishuar.



“Statistikat flasin që dhuna është me bazë gjinore, sepse 85 për qind e personave që vijne dhe denoncojnë dhunë në familje janë femra. Bëhet fjalë për një dhunë me bazë gjinore dhe pjesa më e dëmtuar janë kryesisht bashkëshortet. Numri i denoncimeve sa vjen e rritet pranë stukturave të policisë. Gratë po e kundërshtojnë, po e refuzojnë dhunën dhe po u drejtohen institucioneve për të kërkuar mbrojtje. Ajo çdo ditë e më tepër po e kuptojnë se dhuna ndaj tyre është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut” - thotë Alma Gjurgji, shefe e departamentit kundër dhunës në familje në drejtorinë e përgjithshme të policisë.

Nga viti 2008 Shqipëria po zbaton prej pesë vjetësh ligjin për parandalimin e dhunës në familje, ndërsa policia, shoqatat dhe sistemi gjyqësor po e ndërgjegjësojnë shoqërinë për denoncimin më të madh të dhunës. Gjykata ka urdhëruar një mijë e 562 mbrojtje të menjëhershme të zonjave të dhunuara nga bashkëshortët ose mbi 215 raste të reja më shumë se një vit më parë, ndërsa numri i kërkesë padive është rritur më tej.

“Situata që lidhet me këto urdhëra mbrojtjeje është pak komplekse. Shumicën e rasteve gjykatat vendosin që gratë të largohen nga shtëpia me urdhër mbrojtjeje. Ato vendosen në institucione mbrojtjeje siç janë strehëzat, ndërkohë që fajtori, dhunuesi i tyre mbetet i lirë në mjedisin familjar, duke gëzuar pronën e përbashkët, ku gratë kanë kontribuar më shumë se sa ata vetë” - thotë studiuesja Edlira Haxhiymeri, profesore e çështjeve sociale në Universitetin e Tiranës.

Njëra nga qendrat që ndihmojnë në zbutjen e këtij problemi është edhe “Strehëza për gra dhe vajza të dhunuara. Strehëza është hapur nga shoqëria civile qysh në vitin 1998. Ajo ka dhënë mbrojtje, kujdes për mbi 630 fëmijë dhe 700 nëna dhe vajza të reja nga dhuna e burrave, duke përshtatur metoda këshillimi nga SHBA. Punonjëset sociale në strehëz thonë se gratë vijnë aty me një vetëvlerësim të shkatërruar, viktima të një dhune ekstreme shumë-vjeçare nga burra, që edhe ata dikur janë dhunuar në familje.

“Burrat vetë dikur janë dhunuar, dhe po këtë metodë e përdorin në familjen e tyre me gruan dhe madje dhe me fëmijët. Shkaqet janë kryesisht mentaliteti, pija alkoolike, humbja e parave në bixhoz, dhe shkarkimi i dhunës te pika më e dobët në shtëpi, që gjithmonë është femra. Ndikon shumë edhe mendësia e femrave që i lëshojnë pe këtyre sjelljeve, siç thotë populli. E lejojnë dhunën, se nuk kanë ku shkojnë pa shtëpi, pa para dhe pa familje” - thotë Liri Mitrovica, punonjëse sociale në strehëzën për gra dhe vajza të dhunuara.

Ekspertët thonë se dhuna në familje është një dukuri me rrënjë të thella, jotipike për Shqipërinë, një dukuri që bazohet në pabarazinë gjinore, varfërinë apo burimet financiare të familjes. Sipas tyre, sjelljet dhe atomosfera në familje pasqyron situatën e përgjithshme në shoqëri. Më të prekurit nga situata e përgjithshme janë ato familje që kanë pak të ardhura, që presin punësim dhe ndihma ekonomike nga shteti. Megjithatë, shifrat e raportuara nga policia janë vetëm maja e ajsbergut, sepse mijëra gra të tjera në të gjithë Shqipërinë e durojnë dhe e fshehin dhunën e bashkëshortit për shumë vite dhe shumë prej tyre nuk kanë ende kurajon ta denoncojnë.
XS
SM
MD
LG