Lidhje

Sekretari i Shtetit John Kerry viziton Irakun


Sekretari amerikan i shtetit John Kerry u takua me udhëheqës irakianë në Bagdad për t’i nxitur ata që të ndalojnë fluturimet e avionëve iranianë që furnizojnë me armë qeverinë siriane, përmes hapësirës ajrore të Irakut.

Sekretari Kerry u tha gazetarëve se ai “pati një diskutim të gjallë” për këtë çështje me kryeministrin e Irakut Nouri al Maliki. Ai tha se e bëri shumë të qartë përpara kryeministrit irakian se fluturimet iraniane janë “problematike”, sepse ato “mbështesin” presidentin e Sirisë Bashar al Assad dhe qeverinë e tij. Zoti Kerry nuk tha se si iu përgjigj zoti Maliki kërkesës së Shteteve të Bashkuara për të ndalur, ose të paktën për të inspektuar të gjitha këto fluturime në hapësirën ajrore të Irakut.

Uashingtoni e ka akuzuar Teheranin se po nis aeroplanë thuajse çdo ditë për të furnizuar me armatime dhe luftëtarë presidentin e Sirisë Bashar al Assad, një aleat i hershëm i Iranit, që po lufton me rebelët për dy vjet, në mbrojtje të pushtetit të tij autokratik. Irani thotë se ai e furnizon Sirinë vetëm me ndihma humanitare.

Iraku ka inspektuar vetëm dy aeroplanë iranianë që ishin nisur për në Siri gjatë vitit të kaluar dhe tha se asgjë e paligjshme nuk ishte gjetur.

Zoti Maliki është përpjekur të qëndrojë asnjanës për luftën civile në Sirinë fqinjë, duke refuzuar t’u bashkohet vendeve të tjera arabe dhe Perëndimit në thirrjet për rrëzimin e zoti Assad.
XS
SM
MD
LG