Lidhje

SHBA hap qendrën informuese për arsimin amerikan


Qendra informuese mbi arsimin amerikan në Shqipëri ka si qëllim ttë ndërtojë ura komunikimi midis dy vendeve dhe popujve në nivele shkollore.

SHBA dhe një universitet privat çelën sot në Tiranë qendrën informuese për arsimin amerikan. Qendra është tani pjesë e një rrjeti global me 170 shtete që fton të rinjtë nga Shqipëria dhe bota të studiojnë në SHBA. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, tha se një numër gjithnjë e më i madh të rinjsh shqiptarë duhet të studiojnë në shkollat e SHBA, dhe pas një viti e kuptojnë se kanë bërë zgjedhjen e duhur.

Ambasada e SHBA dhe Universiteti Marin Barleti çelën sot së bashku qendrën informuese mbi arsimin amerikan në Shqipëri. Rrjeti “Shkollimi në SHBA” ka qendra në 170 shtete, ku miliona studentë në vende të ndryshme marrin informacion se si të shkollohen në universitetet më të mira amerikane. Ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, tha se studimi jashtë vendit është një hap shumë i mirë dhe i rëndësishëm.

“Unë vetë - tha ambasadori Arvizu - jam një nga studentët që kam dalë jashtë nga projektet shkollore me këmbim; kam harxhuar një verë në Ekuador, duke u përpjekur të mësoj spanjisht, dhe më pas ndoqa programin njëvjeçar për studime në Japoni. Kam dëgjuar se edhe të rinjtë shqiptarë shkollohen në vende të ndryshme si Italia, Gjermannia, Austria, Britania e Madhe apo edhe Greqia. Por vërtet mendoj se duhet të ketë më shumë studentë shqiptarë që të studjojnë në shba, ndonëse kjo është e vështirë për prindërit shqiptarë. Ata janë krenarë për fëmijët e tyre që studjojnë në shba, dhe nuk kanë arsye që të reken e të qajnë aq shumë kur takohen”.

Sipas ambasadorit amerikan, kur fëmijët kthehen pas një viti ata janë pjekur, janë rritur, dhe ky është konceptim kryesor i studimeve jashtë vendit. Përparësia e tyre më e madhe është që, duke studiuar jashtë, ata kanë një mendje të hapur. SHBA dërgojnë çdo vit dhjetëra mijëra studentë që të shkollohen në shtete të tjera, të mësojnë e të shkëmbejnë kulturat.

“Është gjithmonë një sfidë që të nxitësh amerikanët të kuptojnë e të mësojnë gjithnjë e më shumë për botën që i rrethon. E njëjta gjë është e vlefshme edhe për të rinjtë shqiptarë që krahas Italisë apo Kroacisë, të mundohen të përfshihen në jetën amerikane, me një larmi aq të madhe vlerash e kulturash. Në fillim ata nisen nga kurioziteti dhe më pas kuptojnë kanë bërë një shkollim të mirë, se kanë arritur një sukses të madh e të prekshëm, se kanë hedhur hapin e duhur drejt arsimit të përshtatshëm” - tha ambasadori amerikan Arvizu.

Qendra informuese mbi arsimin amerikan në Shqipëri ka si qëllim pikërisht këtë shtysë kulturore; të ndërtojë lidhje dhe ura komunikimi midis dy vendeve dhe popujve në nivele shkollore. Çdo vit një numër i konsiderueshëm studentësh kërkojnë të ndjekin studimet në SHBA. Kjo qendër mund t’u japë atyre çdo informacion, së bashku me qindra cd dhe mbi 300 libra në të gjitha fushat e dijes njerëzore.
XS
SM
MD
LG