Lidhje

Shpallen rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë - 2004-10-25


Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Sorren-Jessen Petersen u kërkoi sonte të gjitha palëve në Kosovë që të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të së shtunës, duke thënë se Kosova dhe populli i saj janë fituesit. Zoti Petersen theksoi se zgjedhjet përbëjnë një pikë kthese në Kosovë.

Komisioni qendror i zgjedhjeve në Kosovë dha sot rezultatet paraprake të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të së shtunës, të cilat treguan se nuk kishte ndonjë lëvizje të rëndësishme të elektoratit të partive kryesore, Lidhjes Demokratike të presidentit Ibrahim Rugova, Partisë Demokratike të kryesuar nga Hashim Thaçi dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të kryesuar nga Ramush Haradinaj. Ndryshim i rëndësishëm ishte renditja e listës qytetare Ora e kryesuar nga Veton Surroi në vendin e katërt. Kjo listë u shpall vetëm pak më shumë se dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Rezultatet:

Lidhja Demokratike 292 mijë e 778 vota, ose 45.3%

Partia Demokratike 185 mijë e 162 vota ose 28.65%

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 53 mijë e 514 vota ose 8.28%

Ora 40 mijë e 466 vota ose 6.26%

Partia Shqiptare Demokristiane 12 mijë e 695 vota ose 1.81%

KDTP (parti që përfaqëson pakicën turke) 8933 vota ose 1.38%

Partia e Drejtësisë 6491 vota ose 1%

Të gjitha partitë, grupimet politike dhe kandidatët e pavarur që morën pjesë në zgjedhje, përveç këtyre partive, përbëjnë 7.32% të votave.Megjithëse këto rezultate konsiderohen paraprake, pjesa e mbetur e votave që duhet të numërohen përfundimisht, janë ato me kusht dhe votimet në Serbi e Mal të Zi, të gjitha bashkë përbëjnë vetëm 4 përqind të numrit të përgjithshëm të votave. Kanë votuar 51.11% e zgjedhësve.

Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka fituar shumicën e vendeve në parlamentin prej 120 vendesh të Kosovës, pret rezultatet përfundimtare të certifikuara për të folur publikisht për koalicione të mundshme me partitë e tjera. Por zëdhënësi i saj Lulzim Zeneli i tha Zërit të Amerikës, se në të mirë të Kosovës do të ishte që të ketë pozitë dhe opozitë, gjë që të lë të kuptosh se LDK-ja preferon në fakt një renditje të tillë në skenën politike në vend të koalicionit të gjerë i cili qeverisi Kosovën vitet e fundit. Megjithatë zoti Zeneli tha se është herët të flitet për koalicione dhe me cilën parti; ai shton se nuk ka boshllëk institucional dhe se bisedimet për institucionet e reja nuk janë urgjente. Zoti Zeneli pohon se nga lista e partive fituese, dihet se demokristianët janë tradicionalisht të afërt me LDK-në, ndërkohë që megjithatë pohon se pas dhënies së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, LDK do të shqyrtojë pozicionin e saj.

LDK-së i duhen 61 vota në parlamentin prej 120 vende për të zgjedhur presidentin, ndërkohë që duket se edhe kësaj here do të negociohet marrja e këtij numri votash në këmbim të dhënies së postit të kryeministrit njërës nga partitë që do të hyjë në koalicion me LDK-në. Presidenti sipas kornizës kushtetuese mandaton më pas qeverinë.

Po kështu, LDK e bën të qartë pozicionin e saj se delegacioni shqiptar në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës duhet të zgjidhet në bazë të institucioneve të Kosovës.

PDK do të presë rezultatin përfundimtar dhe pastaj kryesia do të vendosë. Zëdhënësja e kësaj partie Vlora Çitaku i tha Zërit të Amerikës, se kjo parti, tani për tani nuk ka vendosur nëse do të hyjë në koalicione, por konfirmoi se PDK është e gatshme të jetë edhe në pozitë, edhe në opozitë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka lënë të hapur mundësinë e koalicioneve me parti të tjera, pa thënë qartë se më cilën.

Ndërkaq, kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Sorren-Jessen Petersen, tha se të gjitha palët në Kosovë duhet të dëgjojnë zërat e atyre që votuan dhe të respektojnë vendimin e tyre. Zoti Petersen nënvizoi se askush nga ata që dëshiron një të ardhme më të mirë për Kosovën, nuk duhet ta konsiderojë veten humbës.

Kryeadministratori theksoi gjithashtu se zgjedhjet përbëjnë një pikë kthese në Kosovë dhe përshëndeti zhvillimin paqësor të zgjedhjeve dhe pjesëmarrjen e mirë duke inkurajuar të gjitha palët që të punojnë së bashku për të konsoliduar përparimin demokratik të Kosovës. “Politikanët duhet të shënojnë mesazhin e qartë nga votuesit që do të bëjnë përgjegjës udhëheqësit e tyre të zgjedhur për rezultatet e dhëna”, theksoi kryeadministratori, duke bërë thirrje për formimin e shpejtë të qeverisë së re, sapo të çertifikohen rezultatet përfundimtare.

Zoti Petersen tha gjithashtu se përparësi kryesore e qeverisë së re duhet të jetë plotësimi i standarteve dhe përparimi drejt një shoqërie shumëetnike.

Ai ritheksoi se UNMIK-u pret që të punojë në partneritet me qeverinë e re, së cilës do t’i jepen pushtete të reja të rëndësishme, për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe krijimin e më shumë vendeve të punës. “Duhet të punojmë me përfaqësuesit e ligjshëm të të gjitha komuniteteve, dhe duhet të shkojmë deri tek ata që vendosën të mos votojnë, apo që u ndjenë të frikësuar dhe nuk votuan”, nënvizoi ai.

Zoti Petersen pritet të takohet këto ditë me udhëheqësit e rinj që dolën nga këto zgjedhje për t’i uruar për rolin e tyre në zgjedhje dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre për rrugën që ka Kosova përpara.

XS
SM
MD
LG