Lidhje

Dita botërore e refugjatëve


Në kryeqytetin amerikan Washington, për disa ditë u mbajtën aktivitete për ditën botërore të refugjatëve.

Pol Ruse-Sabagina që shpëtoi jetën e mbi 1 mijë e 200 njerëzve gjatë genocidit të Ruandës mori një çmim humanitar, ashtu si edhe Terry George që rrëfeu historinë e Polit në filmin e tij “Hotel Ruanda”.

Fituesit e një konkursi për një poster u nderuan për përpjekjet e tyre në portretizimin e temës së këtij viti për Ditën e Refugjatëve, guximi.

Sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice lexoi një letër të Zonjës së Parë Laura Bush.

“Këtë vit, Dita Botërore e Refugjatëve përqendrohet tek kurajoja që tregojnë refugjatët, të detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, dhe të rifillojnë një jetë në vende të huaja dhe më në fund rikthehen me guxim përsëri në shtëpitë e tyre, apo shkojnë prapë në një vend tjetër për të filluar jetën nga e para”.

Ceremonia u organizua nga agjencia e OKB-së për refugjatët. Aktorja Angelina Jolie është ambasadore nderi e agjencisë-së.

“Gjatë gjithë kohërave, gjuha, arti, feja dhe historia nuk do të ishin këto që janë pa refugjatët”.

Zonja Jolie foli gjithashtu mbi nevojën për të kuptuar vujatjet e gjithë refugjatëve, jo vetëm atyre që shfaqen në ekranet televizive.

“Është e vështirë që të ngresh ndërgjegjësimin. Fondet fillojnë të jepen kur ka një situatë urgjente, por pastaj lihen mënjanë situatat e tjera urgjente”.

Në një konferencë për shtyp, Joung-ah Ghedini e Agjencisë së OKB-së për refugjatët tha se mosdhënia e menjëherëshme e ndihmës për refugjatët e vështirëson më tej problemin.

“Disa refugjatëve u është dashur të ikin nga shtëpitë e tyre tre, katër, e madje edhe pesë herë. Dhe pastaj bëhet gjithnjë e më e vështirë që të kërkosh ndihmë për ta, megjithëse nevojat e tyre janë po aq të mëdha sa të njerëzve që largohen nga vendi i tyre për herë të parë dhe shfaqen vazhdimisht në CNN dhe BBC”.

Agjencia e Refugjatëve u krijua në vitin 1951 për të ndihmuar refugjatët e Luftës së Dytë Botërore, ose për t’u khyer në vendet e tyre, ose për t’u vendosur dhe integruar në një vend tjetër, një zgjidhje që duhet bërë vetëm kur nuk ka mbetur asnjë rrugë tjetër, sipas Linda Thomas-Greenfield, zyrtare e Departamentit të Shtetit.

“Ne shpresojmë që shumica e refugjatëve të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre. Mendoj se shumë refugjatë pikërisht këtë duan”.

Agjencia e Refugjatëve aktualisht punon në 160 vende dhe kujdeset për afro 17 milionë refugjatë.

XS
SM
MD
LG